Kryetari i partisë opozitare në Maqedoni, LSDM, Zoran Zaev, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, premton se nëse fiton partia e tij, do t’u konfiskohet prona të gjithë atyre që përfituan paligjshëm, ndërsa për çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, thotë se ligjet ekzistojnë, duhet vetëm zbatimi i tyre.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Zaev përderisa ju e hapët si temëVMRO/DPMNE-së se po e shtyn fuqishëm çështjen e mbrojtjes së shtetit duke i thënë ‘Jo’ federalizmit. A e keni atë përshtypje se praktikisht me hapjen e temës së gjuhëve, i hapët fushatë VMRO /DPMNE-së?
Zoran Zaev: Ndoshta unë kam dhënë shkas, ose çfarëdo qoftë, por edhe sikur mos të jepja shkas, ata sërish do të shkonin me ndonjë retorikë nacionaliste dhe për këtë aspak nuk kam dilema. E mira është ajo që nuk kapërcen askund më.
Federalizimi është vetëm në kokën e Gruevskit. Kantonizimin që përmend,nuk e di nga i ka rënë në mend, me siguri mendon për konfiskimin. Konfiskimi do të ndodhë në Maqedoni, pas kësaj plaçkitjeje që ndodhi, por uniteti i shtetit garantohet vetëm me ngjeshjen e radhëve, me barazi. Me nacionalizma dhe ndarje të këtilla, uniteti rrënohet.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë premtoni për përdorimin e gjuhëve?
Zoran Zaev: Ligji është i qartë në Maqedoni dhe Kushtetuta jonë është evropiane dhe liberale - i garanton të gjitha të drejtat e qytetarëve, vetëm nevojitet zbatimi i tyre. As do të ndërrohet Kushtetuta, as ka nevojë për ndonjë zgjidhje ligjore. Kushtetuta e tanishme dhe ligjet e tanishme japin mundësi për realizim praktik të nevojave të qytetarëve rreth këtij aspekti. Ata vetëm këtë kërkojnë. Unë i dhashë shembujt – fëmija me talent në muzikë, thjesht, nuk mund të regjistrohet në shkollën fillore të muzikës për shkak se nuk ka profesor të teorisë së solfezhit.
Edhe Kushtetuta, edhe ligji këtë ta garanton. Pse nuk zbatohet? Gjyshja nuk mund të marrë kujdes nga person i tretë për shkak se ndokush nuk ka pasur qejf t’i përgjigjet në gjuhën shqipe në komunën ku ekziston dygjuhësia. Sot kemi shembuj eklatantë – Shuto Orizari me ligj ka të drejtë të flasë në gjuhën rome për shkak se ka mbi 20 për qind romë. Përse nuk zbatohet ligji? Krahas maqedonishtes, flasin dhe në gjuhën shqipe.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë saktësisht parashihni për përdorimin e gjuhëve?
Zoran Zaev: Asgjë jashtë Kushtetutës dhe ligjit! Vetëm realizim praktik. Këta kuazi-patriotë nga të dy anët, kuazi-nacionalistë, ashtu i quaj unë, thjesht fshehurazi, nën tavolinë, bëjnë pazarllëqe për ligjet, që në fund asgjë të mos realizohet nga ato ligje. Për këtë shkak, qytetarë tanë të caktuar, nga bashkësitë etnike më të vogla, ndihen se ky shtet për disa është njerkë e për disa nënë. Jo! Shteti duhet të jetë nënë për të gjithë, në mënyrë të barabartë, i barabartë për të gjithë, që të mund ta duam, ta ruajmë, të luftojmë; kjo e përforcon karakterin unitar të Maqedonisë.
Radio Evropa e Lirë: Kjo do të thotë se nuk do të ketë ndryshim të Kushtetutës?
Zoran Zaev: Jo. Nevoja për ndryshimin e Kushtetutës mund të ndodhë për ndonjë aspekt tjetër, për ambiente të tjera, por assesi lidhur me këtë. Shembull për këtë që po flas është shoqëria civile, avancimi i lirive dhe të drejtave, ndjekja e trendëve bashkëkohor demokratik, për modernizim të Kushtetutës, përmirësim të shoqërisë ku jetojmë. Në këtë aspekt, në pjesën e përdorimit të gjuhëve, në pjesën e kuazi-federalizimeve e kantonizimeve- assesi! Në asnjë mënyrë!
Radio Evropa e Lirë: Çfarë nëse rezultatet e zgjedhjeve çojnë në atë se duhet të bëni koalicion me BDI-në, ndërsa për ta tashmë keni bërë publike një pjesë të bisedave të përgjuara? A do të bëni koalicion me partinë e Ahmetit?
Zoran Zaev: E dini, tashmë këto modele të koalicionimit, të cilat i njihte e kaluara, nuk do të jenë të njëjta. Përse? Për shkak se, ja, për shembull, shkaku se LSDM-ja do të marrë më shumë vota nga shqiptarët se sa BDI-ja. Le të presim që ta shohim këtë, por përkrah respektimit të shumicës së votës së bashkësive etnike më të vogla, veçanërisht të shqiptarëve, si e dyta për kah madhësia në Maqedoni, mbeten edhe disa parime, të cilat patjetër duhet t’i respektojmë. Me kriminelë e me banditë nuk hyjmë në koalicion.
Puna e dytë, parimet për të cilat angazhohemi si parti, në pajtim me partinë, për këtë shoqëri civile, të cilën duam ta krijojmë, patjetër duhet të jenë të ndërtuara së bashku dhe të pranuara nga të dy palët, nga cilado qoftë parti politike që do të ulet në tavolinë. Këtë ua kemi borxh qytetarëve.
Dhe, puna e tretë, nëse vazhdojnë me nacionalizmat e këtillë, duke e përdorur si levë për VMRO /DPMNE momentumin, absolutisht i humbin të gjitha shanset që të bisedojmë për çfarëdo koalicioni. Pa marrë parasysh çfarë shumice do të votojë këtu. Nëse duhet pasur parime të caktuara, të cilat shpien vetëm në nacionalizëm, në Maqedoni nuk besoj se ekziston as edhe shansi më i vogël për çfarëdo bashkëpunimesh të ardhshme.
Unë e zgjas dorën dhe bashkëpunoj me çdonjërin, çdonjërin që është i gatshëm për ta kthyer jetën në Maqedoni;’ çdonjërin që është i përgatitur në mënyrë direkte ta vë qytetarin, njeriun, individin në qendër të vëmendjes në qeverinë e ardhshme, në qeverinë ekzekutive në Maqedoni.(REL)