Rreth 50 për qind e popullatës në Komunën e Lipjanit vlerësohet të jetë nën moshën 30-vjeçare.
Të rinjtë e Lipjanit, jetën në një qytet të vogël e shohin nga dy kënde - si për kah ana pozitive, ashtu edhe nga ajo negative.
Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë disa nga të rinjtë e këtij qyteti kanë shprehur ankesat e tyre që kryesisht kanë të bëjnë me mungesën e aktiviteteve kulturore, sportive dhe rekreative.
Një nga këta të rinj është Eliesa Rrahmani, e cila thekson se Komuna e Lipjanit mendon pak për nevojat e të rinjve.
“Mungojnë ndoshta shumë gjëra, ka shumë nëse filloj t’i numëroj”, thotë ajo.
Edhe Bleona Vishesella, e cila ndjek mësimet në gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan, thotë se janë disa gjëra që i mungojnë vendit, mirëpo shprehet e kënaqur nga jeta që ajo bën.
“Jeta e një të riut në Lipjan nuk është edhe shumë mirë, se nuk i kemi të gjitha kushtet, por prapë janë mirë. Na mungojnë disa aktivitete më shumë në shkollë. Kisha pasur dëshirë që shkolla të jetë më e mirë, më e madhe, të kemi kohë të mjaftueshme për të mësuar, ta kemi bibliotekën në shkollë, por nuk janë të gjitha këto kushte”, thotë Bleona.
Papunësia ndonëse jo shumë e shprehur në qytetin e Lipjanit, për disa të rinj mbetet si preokupim.
Betim Berisha, një i ri nga ky qytet, thotë të jetë i shqetësuar nëse pas përfundimit të shkollimit, do të mund të sigurojë një vend pune.
“Mirë është të gjitha i kemi, vetëm punë nuk ka”, thotë Betimi.
Në Komunën e Lipjanit, sipas të dhënave zyrtare aktualisht veprojnë 1281 biznese të regjistruara me gjithsej të punësuar 3057 punëtorë. Shumica e bizneseve të regjistruara janë biznese të vogla dhe të mesme.
Përveç perspektivës në punësim, mungesën e një qendre rinore e theksojnë shumë të rinj të qytetit të Lipjanit.
Ndërkaq, Ilind Ahmeti thotë se të rinjve iu mungojnë aktivitetet sportive:
“Neve na mungon një sallë për të rinj që na duhet për sport, për gjimnastikë, për sportet që mua më pëlqejnë, tjetër nuk di se çka”.
Për disa, qyteti i Lipjanit ofron perspektivë për të rinjtë në përgjithësi dhe se janë të kënaqur me kushtet.
Shkodran Ahmeti shprehet:
“Në Lipjan i kemi kushtet e mira, për momentin nuk na mungon asgjë”.
Ndërkaq, Gresa Avdyli thotë se krahasuar me të kaluarën kushtet tani janë shumë më të mira për të rinjtë Lipjanit.
“Çdo gjë është mirë edhe me nivelin e arsimit, edhe profesorët, kemi edhe laboratorë. Jemi të kënaqur me çdo gjë. Tani pasi jemi edhe në shkollën e re gjimnazi ‘Ulpiana’ në Lipjan, jemi të kënaqur. Më herët kushtet kanë qenë më të këqija, e tash janë përmirësuar edhe shkolla edhe komuna”, thotë Gresa.
Ngjashëm, shprehet edhe Fatjona Kadrijaj:
“Shkollimin, të gjitha i kemi, kemi sallën e edukatës fizike, teknologjia ka kabinetet, të gjitha lëndët i kanë kabinetet...”.
Komuna e Lipjanit gjendet në pjesën qendrore të Republikës së Kosovës rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.(REL)