Kongresi i Kolumbisë ka ratifikuar marrëveshjen e rishikuar të paqes midis qeverisë dhe grupit rebel Farc.
Dhoma e Përfaqësuesve e ka miratuar unanimisht planin, një ditë pasi Senati i ka dhënë po ashtu mbështetje.
Marrëveshja e parë për paqe është refuzuar në një referendum, në muajin tetor.
Marrëveshja synon t’i japë fund konfliktit të armatosur, i cili, për pesë dekada, ka vrarë mbi 260,000 njerëz.
Rebelët e Farc-ut tani do të dorëzojnë armët dhe do të formojnë parti politike.
Ushtria do të vendoset në territorin e kontrolluar nga Farc-u, për të parandaluar trafikantët e drogës që ta marrin përsipër.