Të dhënat e Agjencisë të Statistikave të Kosovës tregojnë se Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë.
Kjo agjenci ka publikuar të martën statistikat e tregtisë së jashtme për muajin tetor të këtij viti, ku del se përqindja më e madhe e importit në Kosovë është nga Serbia, me 14 për qind, Gjermania 12 për qind, Italia 7.2 për qind, Maqedonia, 6 për qind, Shqipëria 4.3 për qind, e të tjera.
Shuma totale e importit gjatë muajit tetor të këtij viti ishte 241,3 milionë euro, derisa eksporti i mallrave kishte vlerën 27,1 milionë euro
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për -0.2 për qind në muajin tetor 2016, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2015, gjegjësisht në vlerë prej 214,2 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 214,6 milionë eurosh ne vitin 2015.
Sipas të dhënave të ASK-së, eksporti mbulon importin me 11.2 për qind.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 7.1 milion euro, ose rreth 26.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së janë rreth 105.4 milionë euro, ose 43.7 për qind e importeve të përgjithshme.
Derisa, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin tetor 2016, arritën në 15.2 milionë euro, ose 56.3 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 26.1 për qind, derisa importet nga vendet e CEFTA-s në muajin tetor 2016, arritën në 67.8 milionë euro, ose 28.1 për qind e importeve të përgjithshme, ku kishte një rënie prej -1.1 për qind.