Pesë persona janë arrestuar në Prizren, pasi që kishin sulmuar me shishe molotovi dhe gurë Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Prizren.
Të pesë të arrestuarit kanë pranuar veprën në prani të avokatit mbrojtës, ka thënë Kryeprokurori i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha.
Këta persona, në dëshminë e parë që kanë dhënë para organeve kompetente, sipas kryeprokurorit Hoxha, kishin arsyetuar veprimin e tyre me euforinë e festimit të Ditës së Flamurit kombëtar shqiptar, nën tingujt e muzikës folklorike.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit.
“Rreth orës 04:00 të mëngjesit, me një gaz molotovi dhe gurë, disa persona kanë gjuajtur ndërtesën. Menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe u kemi dhënë udhëzime edhe policisë si të veprojnë tutje”, ka thënë Hoxha.
Më pastaj, ka nënvizuar ai, janë ndaluar pesë të dyshuar, të cilët e kanë pranuar kryerjen e kësaj vepre.
“Ata e kanë pranuar veprën në prani të avokatit, janë në ndalim dhe hetimet vazhdojnë”, ka thënë Sylë Hoxha.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se njësitet e forenzikës kriminalistike kanë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, duke u bazuar në dëshmi dhe video incizime relevante për procedim sa më profesional të rastit.
Si pasojë e këtij sulmi, objekti ka pësuar dëme të vogla materiale.
Por, ky akt, ka ngritur shpejt në këmbë presidentin dhe Qeverinë e Kosovës, marrë parasysh se Turqia në Kosovë mbetet një prej vendeve që është shumë e pranishme, që nga investimet ekonomike e deri te infrastruktura, arsimi e shëndetësia.
Presidenti Hashim Thaçi ka dënuar sulmin dhe ka uruar Policinë e Kosovës për reagim të shpejtë dhe kapjen e të dyshuarve.
“E dënoj ashpër sulmin kundër Konsullatës turke në Prizren”, është shprehur Presidenti Thaçi.
Qeveria e Kosovës ka dënuar ashpër sulmin ndaj Konsullatës turke në Prizren dhe ka kërkuar që të zbardhen motivet e këtij akti.
“Qeveria e Kosovës konsideron se veprime të tilla të shëmtuara, në radhë të parë, kanë për synim që të dëmtojnë imazhin e Republikës së Kosovës dhe të lëndojnë miqësinë e saj me shtetet partnere”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës fton organet kompetente që të zbardhin plotësisht motivet, të vënë kryesit e saj para drejtësisë, si dhe të ndërmarrin masa që akte të tilla të mos përsëriten më.
Po ashtu, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e ka dënuar dhe cilësuar si akt vandal sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Prizren.
“Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka komunikuar me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, ku e ka dënuar ashpër aktin si të tillë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme.
“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë të shkëlqyera dhe si të tilla ato nuk do të pengohen e as dëmtohen nga kurrfarë akti vandal e të izoluar, që nuk ja duan të mirën Kosovës dhe marrëdhënieve miqësore me Turqinë”, vijon komunikata.
Qeveria dhe Ministria e Jashtme kanë shprehur përkushtimin e plotë për thellimin e bashkëpunimit dhe raporteve miqësore me Republikën e Turqisë. (REL)