Nis procesi i parë gjyqësor për aferën e përgjimeve

Shkup

Në Gjykatën Penale të Shkupit ka nisur procesi gjyqësor lidhur me shkatërrimin e pajisjeve për ndjekjen e komunikimeve elektronike në Drejtorinë e Zbulimit dhe Kundërzbulimit.

Bëhet fjalë për gjykimin e parë që nga nisja e hetimeve nga Prokuroria Speciale që për bazë kanë aferën e përgjimeve. Të akuzuar lidhur me këtë rast janë gjashtë zyrtarë të lartë përfshirë edhe kreun e drejtorisë së gjashtë të policisë sekrete, Pece Grujovski të cilët sipas palës së akuzës ngarkohen me asgjësimin e mbi 2 mijë dokumenteve që kanë të bëjnë me përgjimet e paligjshme të bisedave telefonike.

Gjykimi i këtij rasti i është besuar gjykatëses Lidija Petrovska, e cila u kundërshtua nga Prokuroria Speciale për shkak se edhe ajo ka qenë një nga protagonistet e keqpërdorimeve në gjyqësor bazuar në publikimet e bisedave të përgjuara.

Ky proces gjyqësor që pritet të ketë edhe vazhdime tjera ka nisur pas kritikave të shumta në opinion lidhur me zvarritjen e lëndëve gjyqësore apo shtyrjen e tyre pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

Ekspertët, por edhe subjektet politike opozitare këto veprime të gjyqësorit i kanë vlerësuar si të qëllimshme, për të ruajtur siç thonë imazhin e partive në pushtet apo mos përballjen e tyre me gjyqësinë para votimeve.

Besa Arifi, profesoreshë e së drejtës penale në Universitetin e Shkupit thotë se proceset gjyqësore nuk duhet të kenë lidhmëri me zgjedhjet dhe të gjitha rastet duhet të procedohen sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Në të gjitha rastet shohim që ose seancat shtyhen ose rreth tyre nuk vendoset, apo masat e kërkuara refuzohen e kështu me radhë. Duhet a kemi të qartë se drejtësia dhe gjyqësia janë të pavarura nga procesi zgjedhore dhe procedura penale duhet të rrjedhojën e saj dhe në këtë rast vlerësoj se seancat nuk duhet të shtyhen në mënyrë të padrejtë pasi është në interesin e të gjithëve që këto procese të përfundojnë”, thotë Arifi.

Zvarritja e proceseve gjyqësore që kanë dalë nga afera e përgjimeve ka qenë edhe objekt i përlasjeve të shumta mes partive politike.

“Ikje nga përballja me drejtësinë nuk mund të ketë. Të gjithë zyrtarët e përfshirë ne krime do të përballen me drejtësinë për të marr dënimin e merituara për veprat e bëra”, kanë deklaruar nga Lidhja social-demokrate e opozitës.

VMRO DPMNE-ja në vazhdimësi ka kërkuar që partitë në mos përzihen në punën e gjyqësorit, por duke pranuar ngecjet dhe nevojën për reforma të thella në gjyqësor.

“Ne duhet t’i lëmë gjykatësit apo prokurorët që të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me proceset gjyqësore apo hetimet e nisura nga Prokuroria Speciale. Duhet të respektojmë prezumimin e pafajësisë dhe t’i lëmë këto instanca gjyqësore të vendosim nëse dikush është ose jo fajtor".

"Unë jam i vetëdijshëm se ka ngecje në sistemin gjyqësor, ka probleme dhe reforma që duhet të zbatohen. Besoj se Maqedonia ka një bazë solide që të kemi gjyqësi solide. Duhet të përqendrohemi në zbatimin e ligjeve dhe gjërat të mos i paraqesim më zi se sa që janë realisht”, ka deklaruar për Evropën e Lirë, Nikolla Poposki, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-së.

Prokuroria Speciale deri më tani ka nisur hetime për dhjetëra raste për shpërdorim detyre kundër dhjetëra zyrtarëve përfshirë edhe ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, ministra dhe funksionarë të tjerë. (REL)