Rebelët në Aleppo pajtohen me planin e OKB-së për ndihmat

Kreu i task forcës së OKB-së për ndihma në Siri, Jan Egeland

Rebelët sirianë në qytetin e rrethuar të Aleppos janë pajtuar me një plan të OKB-së për shpërndarjen e ndihmave dhe për evakuimet mjekësore, por OKB-ja po pret dritën e gjelbër nga Rusia dhe nga qeveria e Sirisë, tha këshilltari për ndihmat Jan Egeland.

Me ashpërsimin e kushteve natyrore në kohë dimri, rreth 275 mijë njerëz janë bllokuar në Aleppon lindore, ku racionet e fundit të ushqimit janë shpërndarë që më 13 nëntor.

Qindra kamionë janë të gatshëm në Turqi dhe në pjesën perëndimore të Aleppos të kontrolluar nga qeveria, për të sjellë ndihmat në sektorin lindor, por OKB-ja ka nevojë për 72 orë, që prej marrjes së të gjitha miratimeve, për të përgatitur “një operacion të madh, kompleks dhe të rrezkishëm”, tha Egeland."

"Ne tani e kemi një miratim në parim me shkrim nga grupet e armatosura opozitare në Aleppon lindore”, i tha ai gazetarëve, duke specifikuar se i referohej rebelëve me të cilët OKB-ja është në kontakt – që nuk përfshinë militantët e ish-Frontit Nusra.

“Kemi mbështetjen verbale të Federatës Ruse për planin tonë katër pikësh. Na duhet mbështetje me shkrim dhe na duhet një mbështetje e pakusht, gjithashtu, nga Rusia dhe njëkohësisht po presim një përgjigje nga qeveria e Sirisë".

Qindra të plagosur po presin evakuimin për trajtim sipas planit, tha Egeland.

I pyetur për një plan B, ai u përgjigj: “në shumë mënyra plani B është se njerëzit po vuajnë. A mund ta lejojmë këtë të ndodh? Jo, ne nuk mund ta lejojmë këtë të ndodh”, tha Egeland njofton Reuters. (REL)