Familja Dehari: Drejtësi për Astritin, nënkupton drejtësi për Kosovën

Your browser doesn’t support HTML5

Nën organizimin e shoqërisë civile, në Prishtinë është zhvilluar një marsh protestues me moton: “Drejtësi për Astritin”. Marshi protestues i është kushtuar aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari i cili vdiq në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor.

Sipas raportit të fundit të Mjekësisë Ligjore të prezantuar nga Kryeprokurori i Gjykatës Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, vdekja e Deharit erdhi si pasojë e asfiskisë (bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes) nga një mjet i fortë dhe nga lëndimet e vet-shkaktuara.

Astrit Dehari po mbahej në paraburgim nën dyshimet se kishte marrë pjesë në sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Por, këtë raport e ka hedhur poshtë familja Dehari e cila, e cila ka marrë pjesë në protestë dhe e cilapo kërkon zbardhjen e rrethanave të vdekjes së aktivistit Dehari. Ngjashëm, edhe përfaqësues të shoqërisë civile, përmes marsheve protestuese po kërkojnë zbardhjen e këtij rasti.

Babai i Astritit, Avni Dehari, u është drejtuar medieve dhe protestuesve duke kërkuar që drejtësia të vihet në vend.

“Meqë sot kanë dalë qytetarët këtu që të kërkojnë drejtësi për Astritin dhe drejtësi për Kosovën, do të mbledh forcën e t’i them disa fjalë. Këto kamera që i keni drejtuar kah ne, drejtoni kah Ministri e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme dhe pyetni ata se si ndihen për ata njerëz që kanë humbur prindërit e tyre, që kanë humbur bashkëshortët e tyre, pyetni se si ndihen ata prind që i kanë humbur fëmijët e tyre”.

“Pyetni ata që akuzohen padrejtësisht për terrorizëm. Pyetni ata që i kanë fëmijët e burgosur nën këtë akuzë”, ka thënë ai.

“Pyetni prokurorët pse dolën me publikimin e raportit pa u kryer hetimet. Pse nuk pritën raportet e ekspertëve të pavarur?”, shtroi çështjen Avni Dehari.

“Pyetni të gjithë që kanë përgjegjësi, se përse për një telefon të vjedhur të Kryeprokurorit të Shtetit u suspenduan dy persona përgjegjës, kurse për 18 ditë nga vdekja e Astrit Deharit u morën vetëm disa masa disiplinore”.

“Bëni punën me ndërgjegjshmëri e drejtësi nëse doni ta ndihmoni i Kosovën, mos na mëshironi ne, mëshirojeni drejtësinë”, është shprehur Avni Dehari, babai i Astrit Deharit.

Në protestë është kërkuar që ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha dhe ai i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, të japin dorëheqje, kurse përgjegjësit e Shërbimit Korrektues të japin përgjegjësi.

Kjo është protesta e dytë e organizuar në Prishtinë me të njëjtën moto, ndërkaq të ngjashme janë organizuar edhe nëpër qytetet tjera të Kosovës.

Marrë parasysh mosbesimin në ekspertizën vendore, ministrja e Drejtësisë ka kërkuar që në hetime të përfshihet edhe një njësi e policisë britanike, “Scotland Yard”, por ka marrë përgjigje negative nga autoritetet britanike, të cilat kanë kërkuar që rasti të trajtohet nga organet e Kosovës si dhe ato të EULEX-it.

Rasti Dehari kishte nxitur edhe inicimin e procedurave disiplinore ndaj katër zyrtarëve të Shërbimit Korrektues në Prizren, nga ministrja e Drejtësisë, por sipas Lëvizjes Vetëvedosje dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, kjo nuk është e mjaftueshme që të ndriçohet ky rast. (REL)