Fitorja e Trumpit u rikthen serbëve ëndrrën për Serbinë e madhe

Ilustrim

Duke pritur lëvizjet e para të kryetarit të sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, një numër i caktuar i analistëve politik serbë, pak a shumë në mënyrë të hapur, sugjerojnë se ai do ta përmirësojë atë që lehtësish e quajnë “padrejtësi e bërë ndaj Serbisë”.

Duke gjurmuar sinjalet e një kthese amerikane ndaj Ballkanit, disa medie e kanë nxjerrë qëndrimin e këshilltarit për politikë të jashtme të presidentit të zgjedhur Trump, Valid Fares, i cili në një analizë në vitin 2007 kishte theksuar që “nëse shqiptarët e Kosovës e arrijnë pavarësinë, të njëjtën duhet mundësuar edhe serbëve të Bosnjës”.

Zharko Koraq, politikan opozitar në Serbi, ish- zëvendëskryeministër në qeverinë e Zoran Gjingjiqit, thotë se ideja që Republika Serbe është një lloj kompensimi për Kosovën dhe që herët a vonë do të bëhet shtet i pavarur ose pjesë e Serbisë, ndonëse, sipas tij, Serbia nuk ka qenë asnjëherë përtej lumit Drini, në esencë është një ide e vlefshme në Serbi.

“Natyrisht që qeveria nuk e përfaqëson hapur këtë ide, por në praktikë, në mënyrë thelbësore, e përkrahë atë. Në Serbi ka shumë pak prej atyre që mendojnë se Bosnjë e Hercegovinës i nevojitet ndihma që të rindërtohet si shtet. Në praktikë, marrëdhënia me Banjallukën (qendër e Republikës Serbe) nuk është e privilegjuar, por është e vetmja. Serbia nuk ka asnjë marrëdhënie me Sarajevën”, tha Koraq.

Ai ka shtuar se “në Serbi, kjo është ideja më e rëndësishme e politikës së jashtme, e cila mbulohet vetëm me një komentim të tejdukshëm se ‘e respektojmë marrëveshjen e Dejtonit’. Por, në fakt, ajo është e vlefshme pak a shumë tek të gjitha partitë politike, me përjashtime të vogla”, ka thënë Koraq.

Në anën tjetër, historiani Çedomir Antiq, thotë se nuk është e ndershme të flitet për një kompensim, sepse, siç thotë ai, qytetarëve të Kosovës u është dhënë pavarësia duke e prezantuar atë si një rast unik, ndërkaq që në momentin e shpalljes së pavarësisë nuk është mbajtur referendumi. Megjithatë, ai nuk ka dyshime që shqiptarët, të cilët përfaqësojnë shumicën e popullsisë në Kosovë, do të votonin për pavarësi.

“Serbia asnjëherë nuk e ka shpallur bashkimin me Republikën Serbe e as ndonjë organ shtetëror ose para-shtetëror nuk ka propozuar krijimin e Serbisë së madhe. Memorandumi i Akademisë së Arteve dhe Shkenca të Serbisë, në asnjë version që është publikuar, nuk flet për atë që Serbia duhet të zgjerojë kufijtë e saj. Milosheviqi e kishte pranuar kufirin në Dri në vitin 1992, në muajin e parë të luftës."

"Ne këtu po flasim për të drejtën e një populli, i cili e ka shtetin e vet, që nuk është i pavarur, por që ta shpallë pavarësinë. Unë mendoj që kjo e drejtë është e pakontestuar. Sidomos, pas vendimit të Gjykatës ndërkombëtare, të cilën e ka diktuar administrata amerikane në vitin 2010”, ka theksuar Antiq, duke iu referuar mendimit këshillëdhënës të Gjykatës ndërkombëtare për drejtësi në Hagë që shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Në anën tjetër, të gjithë ata që deri më tash kanë qenë në pushtet në Serbi, duke u thirrur në Marrëveshjen e Dejtonit, kanë ripërsëritur se e respektojnë integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës, përderisa në anën tjetër, në të njëjtën kohë, i kanë forcuar lidhjet me Republikën Serbe, që është njëri prej entiteteve, në kuadër të marrëveshjes për lidhje speciale.

Megjithatë, është e pakontestueshme që në qarqe të caktuara Republika Serbe konsiderohet si përfitimi i vetëm pas luftërave të viteve 90, si dhe ngjarjeve të mëvonshme, sikurse ndarja e Malit të Zi dhe e Kosovës. Besohet që një ditë, kur të arrihen kushtet, Republika Serbe do ta arrijë mëvetësinë. Madje edhe kryetari i këtij entiteti, Milord Dodik flet që “lidhur me referendumin për shkëputje, është qëndrim i partisë që kjo ndonjëherë të niset si iniciativë”.

Shpresa dhe një llogari, gjithsesi që ekzistojnë, thotë publicisti Momqilo Xhorgoviq, duke iu përgjigjur pyetjes se sa qarqet e caktuara në Serbi llogarisin në Republikën Serbe, si një lloj i kompensimit për Kosovën.

“Unë e kam të njohur që Dobrica Qosiq ka pasur qëndrim që Serbia në shekullin 20 ka nisur që të lëviz në veri, ne veri-perëndim drejt Evropës, në mënyrë që në shekullin 21 do të duhej që ta braktisë lëvizjen kah jugu. Do të thotë që të kthehet nga Kosova dhe të vazhdoj në perëndim. Me siguri që me këtë ka menduar në Bosnjë e Hercegovinën”, tha Xhorgoviq.

Lidhur me paralelen e tërhequr se në rast se ka mundur Kosova të pavarësohet, pse kjo të mos jetë e mundur edhe për Republikën Serbe, ka folur para rreth 2 vjetësh edhe Patriarku i Kishës ortodokse Serbe, Irinej. Në një intervistë për një të përjavshme, në pyetjen se si nga Banjalluka dhe shpeshherë edhe nga kryetari i Republikës Serbe, Milorad Dodik, dëgjohen porosi që në Republikën Serbe duhet të mbahet referendumi përmes të cilit do të shkëputeshin nga Bosnjë e Hercegovina, patriarku ishte përgjigjur që “kjo nuk do të ishte ndonjë gjë për tu çuditur. Ky proces tashmë ka nisur. Nëse mundet Kosova që të ndahet nga Serbia, pse të mos ndahet Republika Serbe nga Federata e Bosnjë e Hercegovinës dhe t’i bashkohet Serbisë”, pati thënë patriarku Irinej.

Tashmë tabloidët proqeveritar, të cilët fitoren e Donald Trumpit e festuan me parullën “Trump, serb”, po e ushqejnë rrëfimin në lidhje me rishikimin e historisë së Ballkanit në favor të Serbisë.

Ndonëse e vë në dukje që as komentuesit më të informuar në Amerikë, në këtë moment, nuk e dinë se cila do të jetë në të vërtetë politika e jashtme e Donald Trump-dhe administratës së tij, madje nuk dihet ende se kush do të jetë sekretar i shtetit, Zharko Koraq vlerëson se është vështirë e besueshme që politika amerikane do të ndryshojë në mënyrë aq drastike.

Një gjë e tillë, sipas tij, do të ishte në kundërshtim edhe me politikën e Bashkimit Evropian, edhe pse një numër i vendeve të saj nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.

“Kjo do të nënkuptonte se po krijohet një bërthamë e re e jostabilitetit në Ballkan, në zemër të Evropës. Vështirë që Amerika do të bënte lëvizje në Ballkan, e para së gjithash në Bosnjë e Hercegovinë, gjë që do të ishte në mënyrë të drejtpërdrejtë në kundërshtim me qëndrimet politike të Evropës”, vlerësoi Koraq.

Çedomir Antiq thotë se disfata e Hillary Clinton nuk nënkupton fitore të ‘miqve serbë’ në Amerikë.

“Në qoftë se në SHBA fiton ndonjë herë presidenti, i cili kujdeset për idealet e themeluesve të SHBA-së, ai do të lejojë që 1 milion e 100 mijë serbë në Republikën Serbe të marrin të drejtat e njëjta që i kanë të gjithë popujt tjerë evropian, e të cilat, në rastin e shqiptarëve, i konfirmuan fuqitë e mëdha në vitin 2008”, konsideron Antiq.

Pritjet e tilla janë joreale, qoftë momentalisht, qoftë në shtigje të gjata, vlerëson Momqilo Xhorgoviq, duke theksuar që çështja e Bosnjë e Hercegovinës është çështje e madhe diplomatike dhe strategjike dhe se në të i kanë interesat Evropa, SHBA-të dhe Azia.

“Sidomos, në qoftë se i kemi parasysh sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, ndërkohë që këtu gjithnjë e më shpesh mund të dëgjohet paralajmërimi që Republika Serbe është nën patronazhin e Rusisë. Kjo çështje nuk do të hapet sidomos tash, kur Serbia është në rrugë të rëndë kah Bashkimi Evropian dhe mendoj që, në një mënyrë, provokimet e tilla dhe shkrimet e tilla, vetëm sa i ia vështirësojnë asaj këtë rrugë”, theksoi Xhorgoviq. (REL)

Përgatiti: Bekim Bislimi