Një grup nxënësish protestojnë për Astrit Deharin, reagon Ministria e Arsimit 

Marshi protestues "Drejtësi për Astritin"

Një grup i nxënësve të shkollave të mesme kanë zhvilluar sot një marsh protestues në sheshet e Prishtinës, duke kërkuar drejtësi për rastin Astrit Dehari.

Nxënësit, kanë bartur një pankartë me mbishkrimin “Drejtësi” dhe kanë brohoritur, “Drejtësi për Astritin”, “Pa drejtësi nuk ka qetësi” e të tjera.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila, siç thuhet në komunikatë, “shpreh shqetësimin për njoftimet e raportuara në media se subjekti politik, “Lëvizja Vetëvendosje”, ka paralajmëruar protestë të nxënësve në Komunën e Prishtinës, duke marrë shkas nga vdekja tragjike e një të riu në rrethana ende të pandriçuara”.

“Shkollat janë institucione të dijes dhe të edukimit dhe askush nuk ka të drejtë ligjore të abuzojë me nxënës’, thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka vdekur më 5 nëntor, në rrethana të pasqaruara në burgun e Prizrenit.