Buxheti përçarës – shtohen kërkesat për prishjen e koalicionit 

Një nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës

Buxheti i parashikuar për vitin 2017 vazhdon të mbetet çështje diskutimesh, por edhe mospajtimesh, rreth ndarjes dhe planifikimit në mes partive të koalicionit, përkatësisht Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, në fillim të këtij muaji, kishte miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2017. Projektligji tashmë i është proceduar Kuvendit, ku pas shqyrtimit nëpër komisionet përkatëse, pritet të dalë në votim për miratim.

Zëvendësministri i Financave nga Partia Demokratike e Kosovës, Isni Kilaj, ka thënë se projekt-buxheti ende nuk është shqyrtuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa, pasi buxheti, sipas tij, ka mangësi dhe se Grupi Parlamentar i PDK-së është duke u konsultuar rreth ndryshimeve që duhet të pësojë.

“Ende nuk është proceduar në Komisionin për Buxhet dhe Financa, aty ka ngecur, sepse grupi i PDK– së është duke bërë harmonizimin dhe vendosjen e kërkesave në buxhet”.

“Përmirësime janë duke u bërë tek Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit. Në këto ministri ka vend për përmirësime”, ka thënë Kilaj.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, Naser Osmani, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se projekt-buxheti ka arritur në Komision, në fund të muajit tetor, sipas afateve ligjore.

Osmani tha për Radion Evropa e Lirë se në mbledhjen e radhës të Komisionit, që pritet të mbahet në fillim të javës së ardhshme, do të shqyrtohet në parim Projektligji për Buxhetin e vitit 2017. Pastaj, shton ai, do t'i rekomandohet kryesisë së Kuvendit që ai të radhitet në njërën nga seancat e radhës për shqyrtim dhe miratim.

Për dallim nga deklaratat e Kilajt, deputeti Osmani thotë se nuk janë duke u bërë ndryshime në këtë draft.

“Si të kalojë në leximin e parë, vetëm atëherë mund të bëhen ndryshime dhe amandamentime në projekt-buxhet. Kjo është procedurë është rregull dhe nuk mund të dalë jashtë kësaj procedure”, ka thënë Osmani.

Kurse Shukri Buja, anëtar i këtij Komisioni, nga Partia Demokratike e Kosovës, shprehet kritik sa i përket ndarjes buxhetore, sidomos në nivelin komunal.

Ai ka thënë se mjetet më mëdha buxhetore janë ndarë nëpër komunat që udhëhiqen nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Për këtë, thotë ai, të hënën kur mbahet edhe mbledhja e komisionit, do të dilet me qëndrime konkrete sa i përket projekt-buxhetit.

Buja, ndërkaq, thotë se ky koalicion duhet të prishet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Partia Demokratike ka qëndrime të ndryshme, por ne po shpresojmë 'ti harmonizojmë këto qëndrime. Ndërsa, unë personalisht, kam qëndrime tjera. Qëndrimi im personal është që ky koalicion duhet të shpërbehet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka theksuar Buja.

Në anën tjetër, Naser Osmani nuk jep ndonjë përgjigjeje në lidhje me atë se sa i ka lëkundur themelet e koalicionit buxheti për vitin 2017. Por, megjithatë, ai shprehet se kushdo që flet për buxhet duhet të jetë kompetent në këtë fushë.

“Unë konsideroj se për çështje profesionale, siç është çështja e financave, politikat financiare, çështjet buxhetore, ata që marrin fjalën duhet të jenë më pak politik dhe më shumë profesionist”, ka thënë Osmani.

Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë mbi 2 miliardë euro, kurse pjesa më e madhe do të gjenerohet nga të hyrat fiskale. Sipas procedurave ligjore, Buxheti i Kosovës duhet të miratohet në pjesën e dytë të dhjetorit. (REL)