Kërcënimi i sigurisë e lëvizë ndeshjen Shqipëria - Izraeli

Pamje nga një ndeshje e kombëtares së Shqipërisë në futboll

Shqipëria e ka lëvizur ndeshjen futbollistike të së shtunës me Izraelin, për kualifikimet për Kampionatin Botëror të Futbollit, nga Shkodra në Elbasan, për shkak të shqetësimeve për siguri, ka njoftuar mbrëmë Asociacioni i Futbollit i Izraelit.

Buroja anti-terror e Izraelit nëpërmjet një kumtese tha se një numër i njerëzve të identifikuar se kanë lidhje me grupin ekstremist, Shteti Islamik, ishin arrestuar në Ballkan, gjatë javës së kaluar, të dyshuar se kishin planifikuar sulme.

U theksua se ndeshja Shqipëria - Izraeli, ishte njëri nga caqet e të arrestuarve të dyshuar dhe personave të tjerë të ndërlidhur me ta dhe i ka këshilluar simpatizuesit izraelitë që të mos udhëtojnë për ta shikuar takimin, për shkak të një “kërcënimi të nivelit të dytë konkret”, raporton agjencia Reuters.

Radioja Izraelite, më herët raportoi se forcat e sigurisë së Shqipërisë i kishin bërë së paku 4 arrestime dhe se përcjellja e sigurisë, e cila çdoherë e shoqëron ekipin kombëtar izraelit, do të jetë e përforcuar.