Përfaqësues të bizneseve në Kosovë e shohin si mjaft shqetësuese rënien e eksportit të prodhimeve vendore për në vendet e rajonit dhe më gjerë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti i mallrave në muajin shtator 2016 kishte vlerën 21,6 milionë euro, ku shënohet rënie prej -11.2 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.
Kosova, nivelin më të lartë të produkteve e eksporton në Shqipëri.
Derisa eksporti ka shënuar rënie, importi në muajin shtator ka qenë 232 milionë euro, me një rritje prej 0.8 për qind. Shteti me pjesëmarrje më të lartë të eksportit në Kosovë, vazhdon të jetë Serbia.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se deficiti tregtar është i lartë dhe se kjo duhet të paraqesë alarm për institucionet e Kosovës.
“Duhet të kuptohet që gjëja më e mirë që ka ndodhur në Kosovë janë raportet kontraktuale me Bashkimin Evropian përmes Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. E tërë kjo është parë si mundësi, e cila do të hapë partneritet dhe mundësi të promovimit të vlerave të prodhimit ‘Made in Kosova’ në Evropë. Por, me vetë faktin që MSA-ja nuk është përcjellë me liberalizim të vizave, atëherë si mund të pritet efekti i rritjes së eksporteve”, thotë Gërxhaliu.
Marrëveshja e Stabilizim - Asociimit, paraqet marrëveshjen e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti. Derisa liberalizimi i vizave për Kosovën mbetet një proces, të cilit nuk po i dihet fundi.
Liberalizmi i vizave dhe MSA-ja, janë dy procese teknikisht të ndara, mirëpo praktikisht të ndërvarura njëra me tjetrën, thotë Gërxhaliu.
“Nëse në tri vitet e fundit në mënyrë kumulative çdo biznesmen i ka humbur 300 ditë punë duke pritur për çështje dhe procedura të vizave, ne jemi në shekullin e 21, është shekulli i ekonomisë, dhe koha për ekonomi është para dhe vlerë, andaj Kosova nuk e meriton këtë dënim dhe penalizim”, konsideron Gërxhaliu.
Përfaqësues të biznesit, ndërkohë kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të bëhen ndryshime në politikat fiskale në kuadër të së cilës hyn edhe lirimi nga detyrimet doganore për lëndën e parë.
Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Mishit, Burim Piraj, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se në rënien e eksportit kanë ndikuar politikat jo të favorshme fiskale.
Për më keq, thekson Piraj, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit në tregun e Kosovës vërehet një qasje e fuqishme e kompanive të huaja, derisa nuk ka ndodhur e njëjta gjë me produktet e Kosovës.
“Çka po e pengon prodhimin kosovar?- Produktet ‘Made in Kosova’, pothuajse tërë lëndën e parë e importojnë me taksë doganore prej 10 për qind, apo 9 për qind. Në anën tjetër, është çmimi i lartë i energjisë elektrike. Nuk është konkurrueshmëria që ka qenë më parë. Me futjen në fuqi të MSA-së, gjërat kanë ndryshuar. Mund të vërehet një qasje e fuqishme e disa kompanive të huaja për tregun kosovar”, thekson Piraj.
Për të ulur deficitin e lartë tregtar, njohës të çështjeve ekonomike vazhdimisht thonë se Kosova duhet të bëjë fuqizimin e sektorit privat, në të kundërtën, do të vazhdojë që importi të dominojë eksportin.
Në vit, kontributi i eksporteve në volumin tregtar është rreth 200 milionë euro, kurse importi kalon shifrën e rreth 2 miliardë euro.(REL)