Partitë, në zgjedhje me retorikë nacionaliste, opinioni nuk u beson

Ashtu sikur edhe në ciklet zgjedhore në të kaluarën, edhe tani në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni, më 11 dhjetor, partitë kanë rikthyer retorikën nacionaliste për tërheqjen e votuesve.

Ajo vërehet para së gjithash nga partitë aktuale në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI.

E para, kërkon t’i fitojë 63 deputetë që ta formojë e vetme qeverinë, apo të mos kushtëzohet nga partitë tjerë, para së gjithash nga ato shqiptare, ndërsa BDI-ja fjalorin e saj e ka përqendruar kundër Lidhjes Social-Demokrate, e cila është partia e parë maqedonase që në zgjedhje do të dalë edhe me kandidatë shqiptarë.

Kundërshtimet që bëhen lidhur me këto qasje të partive, janë vetëm për fitimin e pikëve politike, pasi vështirë se opinioni u beson fjalorit të tyre nxitës, apo nacionalist, se shqiptarët duhet të votojnë për shqiptarët, apo se partitë maqedonase me ofertat drejtuar shqiptarëve, nuk janë të sinqerta, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.

Nikolla Dujoski, analist, thotë se partitë duhet t’i japin fund retorikës së tillë, por të ofrojnë mirëqenie për qytetarët, pavarësisht përkatësive të tyre etnike apo fetare.

“Ne, njëherë e përgjithmonë duhet ta kemi të qartë se duhet të jetojmë njëri pranë tjetrit dhe jo njëri kundër tjetrit. Andaj, vlerësoj se ajo që po ndodh tani në fushatën parazgjedhore, është e lexuar. Fjalorin e tillë të partive e dinë edhe fëmijët se qëllimi i tyre parësor është përftimi politik i grupeve të caktuara të interesit dhe jo i atyre që votojnë. Një retorike të tillë duhet t'i jepet fundi dhe të fillojmë të shikojmë drejt një jete më të mirë për të gjithë”, vlerëson Dujoski.

Lidhja Social-Demokrate në listat e kandidatëve të saj do të ketë përfaqësues të më shumë bashkësive etnike, ndërsa në krye të tyre do të ketë edhe kandidatë shqiptarë. VMRO-ja, nga ana tjetër, gjithashtu do të ketë pjesëtarë të bashkësive etnike, por jo edhe shqiptarë.

BDI-ja, e cila më parë kishte hapur edhe degë partive në zonat e banuara me popullatë maqedonase, tani fushatën e saj e ka përqendruar në elementin etnik, ndërsa kritikon qëllimin e LSDM-së për të tërhequr votues shqiptar, të cilin e quan të dështuar.

Sefer Tahiri, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë për Radion Evropa e Lirë se është mirë për demokracinë që partitë të kenë lista me kandidatë të bashkësive të ndryshme etnike.

Mirëpo, ai konsideron se në rastin konkret, më tepër kemi të bëjmë me një dëshpërim të shqiptarëve nga partitë e tyre, se sa për një veprim të natyrshëm qoftë të LSDM-së apo edhe të shqiptarëve që kanë vendosur ta votojnë këtë parti opozitare maqedonase.

“Konsideroj se LSDM-ja po tenton që përmes një retorike, e cila tingëllon si qytetare, si pro-evropiane, e kështu me radhë, do të tentojë që të marrë besimin e një pjese të shqiptarëve".

"Por këtë më tepër e shoh nga prizmi i dëshpërimit të votuesit shqiptarë nga partitë etnike shqiptare, të cilat kanë premtuar e që shumë pak apo fare, nuk i kanë realizuar nga ato premtime që i kanë dhënë. Pra, këtë nuk e shoh si një veprim apo afrim të natyrshëm, por më tepër si dënim për partitë shqiptare”, thekson Tahiri.

Por, Nikolla Dujoski, profesor i sistemit politik dhe të sigurisë në universitetin e Shkupit, thotë se nisma e LSDM-së duhet të vazhdohet që në të ardhmen edhe partitë tjera të kenë kandidatë të përzier apo që në një ardhme jo të largët të formohen edhe koalicione parazgjedhore edhe mes partive të bashkësive të ndryshme etnike.

“Koha ideve regresive apo e atyre të së kaluarës që të mbetemi vetëm në bllokun politik etnik, mendoj se tashmë është kapërcyer. Unë pres që edhe maqedonasit, kur të ketë ndonjë ide të tillë, të votojnë për parti shqiptare. Kjo do të ndodhë kur partitë të çlirohen nga paragjykimet apo nga retorika e tyre nacionaliste”.

“Kjo duhet të ndodhë dhe besoj se do të ndodhë pasi do të jetë zgjidhja e vetëm për të ecur para drejt një të ardhme më të mirë për të gjithë. Nëse kjo ndodh, atëherë partitë do të duhet të punojnë për zhvillimin e vendit dhe jo të merren me retorika nacionaliste duke shpërqendruar vëmendjen nga problemet reale”, thotë Dujoski.(REL)