Rusia ofron “pauzë humanitare” në Alepo

Pamje e tymit dhe dëmtimeve nga luftimet në qytetin Alepo në Siri

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka ofruar armëpushim 10 orësh, më 4 nëntor në Alepo të Sirisë, ka njoftuar sot Ministria e mbrojtjes e Rusisë.

“Është vendosur për shpalljen e pauzës humanitare në Alepo, më 4 nëntor prej orës 9 në mëngjes e deri në orën 17”, sipas kohës lokale, për “parandalimin e viktimave të panevojshme”, tha sot shefi i shtamadhorisë së ushtrisë ruse, gjeneral Valery Gerasimov.

Sipas tij, ky vendim është miratuar nga autoritetet e Sirisë.

Gerasimov theksoi se civilët dhe luftëtarët do të mund të largohen nga qyteti lindor sirian, Alepo, nëpër tetë korridore.

Javën e kaluar, kryengritësit kanë lansuar sulm madhor për ta thyer rrethimin e qytetit.

Dje ministri i mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, tha se Rusia i ka ndalur sulmet ajrore në këtë hapësirë për 16 ditë, pas kritikave lidhur me sulmin e qeverisë së Sirisë të mbështetur nga Rusia.

Zoti Shoigu e ka akuzuar koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara se ka dështuar t’i frenoj kryengritësit e linjës së fortë.