Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi është liruar nga paraburgimi në Serbi.
Lajmin e ka konfirmuar fillimisht për Radion Evropa e Lirë, Bashmir Xhemaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj.
Në orët e mbrëmjes, Thaçi ka mbërrijtur në Kosovë, përmes pikës kalimtare të kufitarit në Merdare. Aty, ai është pritur edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili i ka uruar mirëseardhje.
Hoxhaj ka kërkuar nga Serbia që të mos ndërmarrë arrestime të tilla në të ardhmen.
“Arrestimet pa bazë, pa fakte, të qytetarëve të Kosovës, për ne paraqesin shqetësim serioz dhe janë të papranueshme. Ky kufi, duhet të jetë kufi i paqes dhe jo i frikës”, ka thënë Hoxhaj.
Thaçi ishte arrestua më 29 shtator në vendkalimin kufitar në Konçul, mbi bazën e një fletëarresti të Gjykatës së Lartë në Nish, nën dyshime për veprën penale “të terrorizmit”.
Atij, autoritetet e drejtësisë në Serbi, i patën caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Pas arrestimit të Thaçit, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë, me të cilën kërkohej lirimi i menjëhershëm, dhe i kërkohej “Bashkimit Evropian që përmes mekanizmave të tij detyrues të ndërhyjë tek Qeveria e Serbisë që të lirohet Thaçi”. (REL)