Gjuriq: Serbia qëndron pranë Trepçës

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha sot në Leposaviq se “Serbia qëndron pranë ‘Trepçës’ dhe me popullin e saj në këto hapësira”.

Gjuriq ka vizituar të hënën flotacionin e Trepçës në Leposaviq, në cepin verior të Kosovës, duke theksuar se “ka ardhur që t’iu përcjellë edhe udhëheqjes edhe punëtorëve të Kombinatit, në veri, porosinë e gjithë Serbisë se Kombinati Trepça mund të llogaris në mbështetjen e Serbisë”.

“Jo vetëm mbështetje politike por edhe mbështetje financiare dhe ligjore”, tha Gjuriq.

“Pra Serbia qëndron përkrah “Trepçës”, Serbia qëndron me punëtorët e “Trepcës, Serbia qëndron me popullin e saj në këto hapësira. Ne nuk do të lejojmë, që ajo që i takon këtij populli, të cilët e kanë krijuar dhe ndëtuar, që përfaqëson boshtin kurrizor të ekonomisë, të ndalojë së punuari”, tha Gjuriq.

“Ata që sot godasin “Trepçën”, godasin edhe stabilitetin e saj ekonomik dhe me këtë provojnë që të rrezikojnë ekzistencën e popullit serb në këtë pjesë të Kosovës” tha Gjuriq.

Deklaratat e Gjuriqit erdhën në ditën kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të papranueshme kërkesën e Listës Serbe për anulimin e Ligjit për Trepçën, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Ligji për Trepçën është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancat e 7 dhe 8 tetorit, me të cilin, siç thanë deputetët, gjiganti ekonomik do të rimëkëmbet dhe do të rikthehet në treg.

Ky Ligj qe miratuar me 79 vota për, asnjë kundër dhe 14 abstenime, por pa praninë e deputetëve serbë në sallën e Kuvendit.

Ligji e përcakton Qeverinë e Kosovës si pronare të 80 për qind të aksioneve të kombinatit, me synimin, siç thotë, të rikthimit të kontrollit në gjithë gjigantin.