Kosova synon të jetë e barabartë në nismat rajonale

Ilustrim

Autoritetet e Kosovës shprehen të bindura se në çdo nismë rajonale kanë përfaqësim të njëjtë dhe të barabartë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Prishtina zyrtare beson se në këto nisma rajonale, duke qenë anëtare e barabartë, Kosova ishte përfituese e granateve të drejtpërdrejta nga Bashkimi Evropian në kuadër të Fondit për Ballkanin Perëndimor.

Sokol Havolli, shef i kabinetit në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë flet për përfaqësimin Kosovës në projekte rajonale të iniciuara nga Bashkimi Evropian.

“Në çdo nismë rajonale edhe Kosova e ka përfaqësimin e vet të nivelit të njëjtë me çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor dhe këtu kemi parasysh edhe nismat rajonale që kanë filluar në kuadër të procesit të Berlinit, por edhe nismat tjera rajonale që kanë të bëjnë me komunitetin e energjisë, me agjendën e konektivitetit, me këshillat rajonale të bashkëpunimit. Pra, në të gjitha këto nisma, Kosova është anëtare me të drejta të plota”, thekson Havolli.

Procesi Berlinit ishte iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014, në të cilin përfshihen dymbëdhjetë shtete, gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor të cilat janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe gjashtë shtete anëtare të BE-së.

Në kuadër të këtij procesi, Havolli sqaron se Kosova ka marrë fonde për rindërtimin e hekurudhave, ku një pjesë e tyre do të financohet nga Komisioni Evropian, por do të ketë edhe përfitime tjera si në infrastrukturën energjetike, rrugore dhe fusha tjera.

“Përfitimet janë se në përgjithësi rajoni është duke ecur në drejtim të arritjes së standardeve kryesorë të BE-së sa i përket fushave që po punohet në nivel rajonal. Mund të themi se Kosova është njëra nga vendet më të përkushtuara në rajon për të gjitha këto procese”, thotë Havolli.

Ndryshe nga ajo çfarë thonë autoritetet e Kosovës, thuhet në një raport të publikuar javë më parë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i titulluar “Procesi i Berlinit – rruga për në BE, apo rruga për askund?".

Aty ishte thënë se në disa raste Kosova nuk ishte trajtuar e barabartë në nismat rajonale dhe se në projektet rajonale ka pasur tendenca që Kosova të jetë e anashkaluar.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që përfaqësimi i Kosovës në këto nisma të bëhet në atë mënyrë, që edhe përfitimet të jenë më të mëdha.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në shumicën e nismave rajonale, në veçanti iniciativave të mekanizmave ndërkombëtarë, pashmangshëm kërkohet përfaqësimi i Kosovës.

“Përfaqësimi i Kosovës në këto nisma do të ndihmojë në fuqizimin e subjektivitetit tonë shtetërorë në rend të parë, duke pasur parasysh që ka shtete brenda rajonit të cilat bëjnë çmos që të pengojnë fuqizimin e subjektivitetit tonë shtetërorë, dhe ky besoj që është përftimi më i madh në periudhën afatshkurtër. Pastaj do të ketë edhe përfitime tjera në aspektin zhvillimor”, thotë Zeka.

Tregjet e vendeve të rajonit përfshirë këtu edhe Kosovën, shton Zeka, janë të vogla dhe sipas tij, “vetëm duke e përmirësuar klimën e të bërit biznes në mënyrë të përbashkët si rajon, mund të tërheqim më shumë investitorë”.

Janë disa projekte ndërkombëtare, të cilat janë krijuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim të thellimit të integrimit ekonomik me vendet e rajonit.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore, e njohur me shkurtesën CEFTA, ishte njëri nga projektet e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Kjo ishte një nga nismat rajonale, por që si e tillë kjo nuk solli përfitime për Kosovën, për shkak se, siç është thënë, “Kosova nuk kishte të zhvilluar sektorin e prodhimtarisë për të depërtuar në tregjet rajonale”.

Ndërkohë, dy nga projektet kryesore rajonale në fushën e infrastrukturës të përfolura së fundi, e të cilat përkrahen nga Bashkimi Evropian, janë autostrada Durrës - Prishtinë - Nish dhe rehabilitimi i linjës hekurudhore prej kufirit me Serbinë në veri, e deri në jug me kufirin me Maqedoninë. (REL)