Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Maja Kocijançiq, ka deklaruar në Bruksel se “nuk ka njohuri për dokumentin e Prishtinës” me të cilin, siç thonë në Beograd, “i vihen kushte të reja Serbisë”.
Ajo tha se BE-ja është lehtësuese e dialogut, i cili tani për tani ka “në focus zbatimin e marrëveshjeve të arritura”.
“Nuk jam në dijeni të dokumentit të Edita Tahirit, por qëndrim i Komisionit Evropian, është i qartë – BE-ja është lehtësues në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve".
"Ky është dialog dhe asgjë tjetër përveç dialogut. Ajo që tani për tani jemi përqëndruar në zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Ka shumë marrëveshje rreth të cilave të dyja palët janë pajtuar dhe ka marrëveshje që pritet të zbatohen”, tha Kocijançiq, duke u përgjigjur në pyetje të mediave serbe për “kërkesat e reja të Prishtinës”.
“Zbatimi i një marrëveshje nuk është i kushtëzuar me zbatimin e tjetrit, por të gjitha shkojnë bashkë. Këto marrëveshje duhet të zbatohen nga të dyja palët dhe atë sa më parë”, tha Kocijançiq.
Ajo tha se të dyja palët janë “obliguar në dialog. Shpresojmë se kështu do të vazhdojë”. (REL)