Prokuroria Speciale që një javë është në pritje të sigurimit të të dhënave të sistemit kompjuterik, për të vazhduar me hetimet lidhur me aferën e përgjimeve, por një kërkesë e tillë po pengohet nga policia sekrete, apo Drejtoria e Sigurimit dhe Kundërzbulimit, siç njihet zyrtarisht, e cila akuzon Prokurorinë Speciale për ndërhyrje të paligjshme në këtë institucion, edhe pse ajo kishte një vendim gjyqësor.
Objekt i hetimeve është sistemi i të dhënave, përkatësisht verifikimi se ku janë kryer përgjimet, në policinë sekrete apo nga shërbime të huaja. Nga Drejtoria e Sigurimit dhe Kundërzbulimit zvarritjen e procedurës së dorëzimit të të dhënave e kanë arsyetuar me një ekspert, i cili ndodhet në udhëtim zyrtar jashtë vendit, por një argument i tillë komentohet si përpjekje për të blerë kohë dhe mos sigurimin e të dhënave.
Veprimi i tillë i kësaj drejtorie, kreu i së cilës është emëruar nga qeveria, shihet si përpjekje për të penguar me çdo kusht punën e Prokurorisë Speciale, që të vjen deri tek e vërteta për përgjimet. Ekspertët thonë se në rastin konkret kemi mos respektim të vendimit gjyqësor, që dënohet edhe me burg.
“Ministri i Punëve të Brendshme duhej menjëherë t’i suspendojë të gjithë personat që tentuan në forma të ndryshme të pengojnë punën e Prokurorisë Speciale dhe ndaj tyre të nisin procedurat e përgjegjësisë para organeve të kontrollit."
"Gjithashtu vlerësoj se nuk qëndrojnë as pretendimet e disa zyrtarëve të Policisë sekrete dhe të MPB-së, nga radhët e VMRO-së, se me veprimin e Prokurorisë Speciale është vënë në rrezik sistemi i sigurisë. Dihet se për çështje të sigurisë vendos dhe diskuton Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe në rast se do të kishte diçka të tillë, atëherë besoj se do të reagonte edhe ky organ, prandaj edhe nuk mbajnë pretendimet e tilla”, thotë Lubomir Gjurçevski, ekspert i çështjeve të sigurisë.
Ndërkohë, qasja e Prokurorisë Speciale është kritikuar edhe nga Prokuroria e rregullt publike, e cila e akuzoi për jo profesionalizëm dhe për veprim të ndikuar nga politika, përkatësisht opozita.
Besa Arifi, njohëse e çështjeve juridike, thotë se reagimi i Prokurorisë - që mbikëqyret nga pushteti dëshmon - se Prokuroria Speciale që është formuar në bazë të marrëveshjes politike, e që ka edhe mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare, vazhdon të jetë nën presionin e të gjitha strukturave shtetërore.
“Sabotimet vijnë nga të gjitha institucionet...në veçanti janë shqetësuese mënyrat se si vendosin gjykatat lidhur me lëndët e Prokurorisë Speciale dhe kërkesat e saj, qofshin ato kërkesa për paraburgim apo masa të tjera të kësaj natyre, por edhe për kërkesa tjera shumë të rëndësishme për përjashtimin e gjyqtarit kur Prokuroria mendon se nuk do të jete i paanshëm dhe objektiv në zgjidhjen e rasteve”, thotë Arifi.
Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike thonë se reagimi i fuqishëm i Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit len dyshime se brenda këtij institucioni vërtetë janë bërë keqpërdorime.
“Një obstruksion kaq i fuqishëm nga ana e individëve të caktuar, të cilët nuk e kanë vendin aty, dëshmon se ujku fshihet pikërisht në Drejtorinë e Sigurimit dhe Kundërzbulimit. Pra, atje ka diçka, apo se atje mund të fshihen të gjitha të dhënat lidhur me aferën e përgjimeve”, thotë Nano Ruzhin, njohës i çështjeve politike.
Prokuroria Speciale deri më tani nisur hetimet ndaj dhjetëra personaliteteve të larta shtetërore, përfshirë edhe ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, por deri më tani nuk ka nisur asnjë proces gjyqësor, për shkak të pengesave të shumta në procedurat hetimore, që për bazë kanë bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve, skandal ky i zbardhur nga opozita që nga shkurti i vitit të kaluar. (REL)