Partitë nisin përgatitjet për zgjedhjet e 11 dhjetorit me fjalor akuzues 

Ilustrim

Partitë politike në Maqedoni po finalizojnë përgatitjet për zgjedhjet e 11 dhjetorit, të cilat vlerësohen si shumë të rëndësishme për nxjerrjen e vendi nga kriza që po zgjat qe një vit e gjysmë.

Nga partia VMRO e Nikolla Gruevskit, një nga zyrtarët më të lartë të akuzuar për shpërdorim detyre, thonë se zgjedhjet do ta nxjerrin vendin nga kriza e imponuar nga opozita.

Por, nga tabori opozitar thonë se me këto zgjedhje do t’i jepet fund qeverisjes, siç thuhet, kriminale të VMRO-së. Po ashtu, edhe partitë shqiptare thonë se janë të gatshme për zgjedhje.

Listat me kandidatët për deputetë duhet të dorëzohen më së voni deri më 11 nëntor.

Dy javë para skadimit të afatit zyrtar për dorëzimin e listave partiake me kandidatët e mundshëm për deputetë, partitë politike thonë se janë të gatshme për t’i "matur forcat" me kundërshtarët politik.

Në këto zgjedhje, të cilat besohet se janë më të rëndësishmet në 25 vjet demokraci të këtij shteti për shkak të aferës që përgjimeve që e ka futur vendin në një krizë pa rrugëdalje, gara kryesore vlerësohet se do të zhvillohet mes VMRO-së së ish kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe Lidhjes Social-Demokrate të Zoran Zaev.

Kreu i VMRO-së, Nikolla Gruevski, thotë se nga këto zgjedhje Maqedonia do të dalë më e fortë pasi do të zgjidhë krizën e imponuar, sipas tij, nga politikat antikombëtare të opozitës.

“Ne si parti dhe koalicion jemi të gatshëm në çdo aspekt. Programin zgjedhor tashmë e kemi mbyllur. Në terren jemi maksimalisht të pranishëm në komunikim të drejtpërdrejt me qytetarët. Pra, jemi të përgatitur për një fitore edhe më të fuqishme, fitore e cila Maqedonisë do t’i sigurojë stabilitet të qëndrueshëm, prosperitet ekonomik. Kjo fitore do ta nxjerr vendin nga kriza në të cilën e ka futur opozita”, ka deklaruar Kryetari i VMRO DPMNE, Gruevski.

Ai njoftoi se do të jetë bartës në gjashtë njësitë zgjedhore ndërsa nuk tregoi nëse funksionarët e tjerë apo ish- funksionarët e kësaj partie të akuzuar nga Prokuroria Speciale për shpërdorim detyre do të jenë në listat e kandidatëve për deputet.

Edhe partia tjetër në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, zyrtarët e së cilës po ashtu akuzohen për shpërdorim detyre, thotë se është e gatshme për zgjedhje dhe se çdo moment anëtarët e saj do të kyçen në fushatën zgjedhore.

Nga kjo parti thonë se programi i saj është zhvillimor, për rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura që ende nuk kanë marrë epilog. Në veçanti ato që kanë të bëjnë me barabarësinë etnike.

“BDI-ja është e konsoliduar për zbatimin e politikave të saj. Kjo parti trason një rrugë që nga viti 2001 dhe që çdo shqiptari i ofron ardhmëri më të mirë shoqërore në Maqedoni”, ka deklaruar Bekim Neziri, kryetar i shtabit qendror zgjedhor të BDI-së.

Nga ana tjetër edhe opozita po finalizon negociatat si për koalicionet ashtu edhe për listat e kandidatëve për deputet.

Kreu i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev thotë se blloku opozitar do të jetë i përfaqësuar nga të gjitha shtresat e shoqërisë, me intelektualë e qytetarë dhe qëllim parësor do të ketë dhënien fund, të siç thotë ai, “të qeverisjes kriminale të partive në pushtet”.

“Lidhja Sociale-Demokrate dhe partitë e majta dhe të qendrës kanë arritur koalicion me qytetarët dhe se ata do të jenë të përfaqësuar në të gjitha listat tona. Besoj se ndryshimet po vijnë dhe ato do të ndodhin më 11 dhjetor me fitoren e madhe të opozitës e cila do t’i jep fund qeverisjes kriminale të partive aktuale në pushtet”, ka deklaruar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Nga Partia Demokratike Shqiptare e opozitës, thonë se së shpejti do të dalin me listat e kandidatëve për deputetë ndërsa paralajmërojnë rifreskim të kuadrove të saj. Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi beson se opozita do të fitonte zgjedhjet nëse ato vërtetë do të ishin të lira dhe demokratike.

“Shumë shpejt do të dalim me lista. Mendoj se sikur të mos ishte manipulimi në Kërçovë, PDSH-ja është favorite në njësinë e gjashtë zgjedhore. Gjithashtu vlerësoj se partia jonë është favorite edhe në njësinë e dytë zgjedhore për shkak të ngjarjeve të tmerrshme në Kumanovë dhe Shkup. Ndërsa në njësinë e parë zgjedhore nuk është favorite BDI-ja, por as PDSH-ja nuk është”, ka deklaruar Thaçi.

Përgatitjet për zgjedhjet janë duke i përfunduar edhe partitë jashtëparlamentare shqiptare, që pritet të jenë konkurruese në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Ato nuk arritën marrëveshje bashkëpunimi duke formuar dy blloqe politike që drejtohen nga lëvizja politike Besa dhe Lëvizja për Reforma e PDSH-së. (REL)