Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, ka dhënë dorëheqje nga pozita e udhëheqësit të komunës dhe njëkohësisht edhe kryetarit të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, një ditë pasi Gjykata e Apelit e ka konfirmuar dënimin e shqiptuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, prej 3 vjetësh burg, për veprat penale të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Demaku, në një konferencë me gazetarë në Drenas, tha se “ata që duhet ta thonë të vërtetën, e kanë thënë të pavërtetën”.
Gjykata Themelore e Mitrovicës, më 15 maj të vitit 2015, dënoi Nexhat Demakun me 3 vjet burg, së bashku edhe me vëllanë Fadil Demakun, në rastin “Drenica II”.
Trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në aktgjykim për rastet e njohura si Drenica I dhe II, shpalli fajtorë edhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, Sami Lushtakun, Sylejman Selimin, Jahir Demakun, Zeqir Demakun dhe Isni Thaçin për, siç thuhet në vendim, veprat penale të trajtimit mizor, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës, në periudhën e luftës.
Për veprën e keqtrajtimit të personave të ndaluar Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku dhe Nexhat Demaku janë dënuar të gjithë me nga tri vjet burgim.