Deklarata e pa harmonizuar për liberalizimin e vizave në seancën e të enjtes

Kuvendi i Kosovës

Deklarata e Kuvendit të Kosovës drejtuar Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave pritet që të dalë në shqyrtim dhe miratim eventual në seancën që është thirrur për të enjten, më 27 tetor. Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare.

Por, në mungesë të harmonizimit të tekstit të deklaratës ndërmjet pushtetit dhe opozitës, tani i mbetet Kuvendit që të vendos se cili version do të aprovohet.

Partitë në pushtet e mbështesin tekstin e deklaratës ku shprehet zotimi se Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, si kriteri i fundit dhe kryesori i Bashkimit Evropian për heqjen e vizave, do të ratifikohet në të ardhmen e afërt.

Kurse, partitë në opozitë kërkojnë që të thuhet qartë në deklaratë që marrëveshja aktuale për Demarkacionin me Malin e Zi është e dështuar dhe procesi do të përmbyllet me një marrëveshje të re.

Në këtë pikë, pritet të zhvillohen edhe debatet kryesore në seancën e caktuar për të enjten.

Me këtë deklaratë, Kuvendi provon që ta bind Bashkimin Evropian se Kosovës i duhet liberalizimi i vizave, ndërkohë që shprehet zotimi se do të punohet në përmbushjen e kriterit për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.