Gratë në viset rurale të Maqedonisë thonë se e kanë shumë të vështirë që të sigurojnënjë vend pune, nëse nuk shpërngulen me familje në zonat urbane.
Meribane Hasipi, nga fshati Lubinë i rrethinës së Shkupit, thotë se ka punuar mbi 25 vite si rrobaqepëse, por tani ajo është e papunë.
Për të shkuar në qytetin e Shkupit për të punuar në ndonjë nga punëtoritë atje, asaj i duhet të bëjë mbi 20 kilometra rrugë në ditë, duke shpenzuar pothuajse gjysmën e rrogës, aq sa është paga në industrinë e tekstilit, e cila mezi arrin vlerën prej 10 mijë denarësh, apo rreth 155 eurosh.
“Do të kisha dashur të punoj, aq më shumë se tani më janë rritur fëmijët, por këtu në fshat punë nuk ka, nuk mund të gjejnë punë të rinjtë e jo unë në këtë moshë”, thotë Hasipi, e cila ka hyrë në të pesëdhjetat.
Ajo thekson se një vend pune - përpos që do t`i siguronte ekzistencë më të mirë - do ta ndihmonte atë që mos ndihet e pa vlerë në shoqëri.
Qeveria e Maqedonisë ka promovuar një varg projektesh për vetëpunësim, por numrii grave që aplikojnë për të shfrytëzuar këtë masë është më i vogël sesa i burrave.
Besa Kadriu, ligjëruese në fakultetin e shkencave politike, në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore, për Radion Evropa e Lirë thotë se institucionet e shtetit duhet të angazhohen që informacionet për mundësitë e ndryshme që ofrohen nga ana e shtetit, por edhe grandet e shumta që jepen nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar femrat që të hapin biznesin e tyre, të arrijnë edhe te gratë që jetojnë në viset rurale, duke u ofruar madje dhe ndihmë juridike për mbledhjen e dokumentacionit.
“Konsideroj se duhet të ketë edhe gatishmëri nga ana e institucioneve të ndryshme të shtetit për të përcjellë këto informacione, në mënyrë që të gjithë qytetarët, pavarësisht se në cilin rreth jetojnë, të kenë qasje të barabartë për shfrytëzimin e benefitevetë ndryshme.”
“Ka shumë nga ata tek të cilët informacioni arrin më vështirë për të shfrytëzuar të drejtat e ndryshme , ku bëhet fjalë për ngritjen e biznesit, apo përkrahjet institucionale, sepse në instancë të fundit kjo është dhe obligim institucional për shërbimet publike”, thotë Besa Kadriu.
Gjatë kësaj jave, me rastin e ditës ndërkombëtare të gruas që jeton në viset rurale, Oda e Maqedonisë Veriperëndimore ka organizuar dhe një debat në temën: “Sipërmarrësia si mundësi e fuqizimit të gruas në zonat rurale”, duke pasur si synim që gratë përmes sipërmarrësish të aftësohen që të ngritinbiznesin e tyre, qoftë në bujqësi dhe prodhime të ndryshme të konservuara, punimet e dorës, madje dhe zhvillimin e turizmit në zonat rurale.
Gëzime Fejzi është kryetare e Grupit të Grave Afariste në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Ajo udhëheq një biznes mjaft të suksesshëm të prodhimeve të qumështit. Fejzi ka pranuar se eksperiencën, por edhe gjitha kurajën, e ka marrë gjatë punës në Romë, duke nënvizuar se nevojitet edukimi dhe trajnimi i përhershëm i grave për të shfrytëzuar kapacitetet dhe mundësitë me të cilat ajo disponon.
“Më parë edhe unë jam ballafaquar me vështirësitë e llojit se biznesi është vetëm për burra. Meshkujt në disa raste refuzonin të bashkëpunonin,si rrjedhojë e paragjykimeve sa i përket zhvillimit të biznesit nga një grua. Tani është më ndryshe ...janë thyer stereotipet e tilla. Mashkulli është vetëdijësuar, e di se një rrogë shtesë në shtëpi ndihmon për mirëqenien sociale në familje”, thotë ajo.
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoni, në tre mujorin e dytë të këtij viti, të publikuar në shtator, tregojnë se 24% e popullatës së Maqedonisë është e papunë, përderisa organizatat që në fokus kanë të drejtat e grave thonë se dy të tretat e kësaj shifre janë gra, edhe pse ato në mënyrë aktive nuk paraqiten në Entin për Punësim, për të kërkuar punë. (REL)