Një hetim i Kombeve të Bashkuara ka zbuluar se forcat e qeverisë së Sirisë janë përgjegjëse për sulmin e tretë me gaz helmues.
Një raport për këtë sulm i Kombeve të Bashkuara dhe i Organizatës për Ndalimin e Armatimit Kimik, mbrëmë i është dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Pritet që për këtë raport të ketë mospajtime ndërmjet Rusisë dhe fuqive perëndimore lidhur me çështjen e përgjigjes ndaj këtij incidenti me armatim kimik të dokumentuar.
Raporti i fajëson forcat e qeverisë së Sirisë për sulm me përdorim të gazit helmues, me gjasë klor, në Kmenas të Idlibit, më 16 mars të këtij viti.
Në muajin gusht, Kombet e Bashkuara e patën identifikuar regjimin e Sirisë si përgjegjës për dy sulme të tjera me gaz të klorit në vendin e vet.
Pasi Siria më herët ishte fajësuar për dy sulme kimike, Rusia, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të drejtë të vetos, e kishte bllokuar çfarëdo aksioni, duke thënë se konkludimet e Kombeve të Bashkuara nuk duhet të përdoren për imponim të sanksioneve.