Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë, gjatë të enjtes, ka prezantuar dy raste të reja rreth hetimeve për keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga ana e funksionarëve të lartë të dikasterit të kulturës si dhe ish-zyrtarë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Hetimi i këtyre rasteve është koduar si “Toplik” dhe “Tenderët”.
Prokurorja Fatime Fetai e cila është pjesë e ekipit të prokurorisë Speciale Publike, duke prezantuar rastin “Toplik” ka bërë të ditur se është dëmtuar buxheti I shtetit të Maqedonisë në vlerë prej mbi 1 milion euro, pasi një ish funksionarë i lartë i dikasterit të transportit dhe lidhjeve ka nënshkruar një kontratë të paligjshme.
Rasti i dytë i emëruar si “Tenderët”, ka sqaruar prokurorja Fatime Fetai, ka të bëjë me keqpërdorimet që ka bërë një funksionar i lartë i Ministrisë së Kulturës.
Ai, akoma pa u mbyll tenderët, ka ndikuar që firma private, “Beton” nga Shtipi, të shpallet fituese për të ndërtuar objektin e muzeut të VMRO-së në qendër të Shkupit si pjesë e projektit ‘Shkupi 2014’ dhe shumë objekte tjera shtetërore të cilat kapin vlerën prej disa milionë euro.
“Ekziston dyshimi se është kryer vepër penale “keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar”.
"Korrupsioni dhe kultura dallojnë sipas koncepteve të jetës”, ka thënë prokuroja Fatime Fetai.
Gjatë konferencës për media, prokurorja tjetër Lence Ristevska është fokusuar dhe në dhënien e detajeve që kanë të bëjnë me hetimin që ka filluar gjatë ditës së djeshme në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe që është në vijim e sipër duke nënvizuar se ky hetim do të vazhdojë deri në zbatimin e plot të urdhrit gjyqësor.
“Të dhënat që i kërkojmë janë të rëndësisë kritike, nga këto të dhëna do të shohim se cilat numra kanë qenë lëndë e përgjimeve”, ka thënë Ristevska.
Por, ajo që është specifike, mbete bashkëpunimi mes Prokurorisë Speciale Publike dhe Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim i cili po shkon vërtet shumë vështirë, ka theksuar ajo.
Prokurorja Ristivska ka konfirmuar se deri më tani nuk ka arritur të gjejë gjuhë të përbashkët me Drejtorin për Siguri dhe Kundërzbulim për tu zbatuar urdhrin që ka dhënë gjykata.
Ristovska nuk ka mundur ta parashikonte nëse në këtë Drejtori, do të ndodhë asgjësimi i materialit, i cili do të mund të ishte objekt hetimi.
“Ne nuk mund t’i kontrollojmë hyrjet dhe daljet e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Mendoj se atje punojnë njerëz profesionistë dhe e dinë se është vepër penale shkatërrimi i të dhënave me rëndësi”, ka thënë Ristevska.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme Prokurorja Speciale Publike me ekipin e saj ka hyrë në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim me ç’rast ka kërkuar nga policia sekrete t’ia dorëzojë të gjitha dokumentet lidhur me rastet e përgjimeve nga viti 2008 deri më vitin 2015.
Për të hyrë në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, Prokuroria Speciale Publike ka siguruar bazë juridike nga Gjykata, pasi që, siç kanë nënvizuar nga Prokuroria Speciale policia sekrete e Maqedonisë, më shumë se gjashtë muaj ka refuzuar ti përgjigjet “speciales” për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm për hetime.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili është kuadër nga partia maqedonase në opozitë, për opinionin ka bërë të ditur se janë tejkaluar obstruksionet të cilat i janë bërë Prokurorisë Speciale Publike nga ana e strukturave të caktuara të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.
Me këtë, sipas tij, janë krijuar kushtet që prokurorja Speciale Publike, Katica Janeva me ekipin e saj ka arritur të ketë qasje deri te dokumentet, të cilat janë lëndë e hetimit të tyre, duke krijua kushte që të zbatohet urdhri gjyqësor.
“Ka pasur obstruksione dhe tentativa për anulim të procedurës, por ato tanimë janë tejkaluar dhe ekipi në krye me Janevën, ka arritur të ketë qasje deri te dokumentet të cilat janë lëndë e hetimit të tyre. Specialja e kryen punën për të cilën ka ardhur dhe gjithçka do të sigurohet që të respektohet dhe zbatohet urdhri gjyqësor dhe kërkesat e prokurorëve të Prokurorisë Speciale Publike”, ka theksuar Spasovski.
Por, zëvendësi i tij, Oliver Andonov, nga radhët e VMRO DPMNE-së e cila parti drejtohet nga ish - kryeministri Nikolla Gruevski ka theksuar se ministri Spasovski në kundërshtim me ligjin ka formuar një komision i cili do ti hapë rrugë prokurores speciale që të ketë qasje në dokumentacionin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim që është lëndë hetimi.
Ndryshe edhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov pas mesnate ka theksuar se Prokurorja Speciale publike me ekipin e saj, siç ka theksuar joprofesional, mund të shkaktojë pasoja mbi operacionet që janë në rrjedhë e sipër dhe të cilat janë të rëndësishme për sigurinë kombëtare. (REL)