Kandidati republikan për President të SHBA-së, Donald Trump refuzoi, të mërkurën në debatin e tretë me kandidatën demokrate, Hillary Clinton, në kuadër të fushatës presidenciale , që të thoshte nëse do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve pavarësisht se si do të paraqitej.
Trump tha se: “Do t’ju them kur të vijë koha. Do t’ju mbaj pezull”.
Por kandidatja demokrate Hillary Clinton tha se fakti që zoti Trump nuk do që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve nëse humb, është “i tmerrshëm”.
Të dy kandidatët presidencial u përplasën rreth Rusisë, kur Clinton akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, të ketë urdhëruar “sulmet kibernetike për të ndihmuar kandidatin republikan që të fitojë”.
Kundërthënia rreth Rusisë ishte një prej përplasjeve më të ashpra gjatë debatit në të cilin Trump, që ka deklaruar se zgjedhjet janë “përcaktuar” nga media dhe establishment politik në SHBA për ta mbajtur atë jashtë Shtëpisë së Bardhë, refuzoi që të deklarohet nëse do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të 8 Nëntorit.
Clinton shprehu dyshimet se vala e sulmeve kibernetike ndaj organizatave politike në SHBA dhe individëve të njohur ishte “qartë” e urdhëruar nga “vetë Putin” me qëllim që të ndryshojë rrjedhën e zgjedhjeve në favor të Trump.
Ajo tha se presidenti rus e cilëson Trumpin, që ka folur fjalë të mira për Putinin dhe që po avokon për ndryshim të marrëdhënieve ndërmjet Washingtonit dhe Moskës, një “kukull” të mundshme në Shtëpinë e Bardhë.
Siç ka bërë edhe më heret, Trump ka hedhur poshtë akuzat se Moska po provon që të përzihet në zgjedhje dhe e akuzoi Clintonin për përpjekje që të anashkalojë diskutimet për imigracionin që nxiti edhe përplasjen e fortë rreth Rusisë.
Ai tha se Putini nuk e respekton Clintonin ose Presidentin e SHBA-së, Barack Obama dhe i ka “mundur” që të dy “në secilin hap të mundshëm”.
Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Moskën për koordinimin e sulmeve kibernetike, përfshirë edhe atë mbi Komitetin Kombëtar Demokrat, përpara zgjedhjeve.
Kremlini vazhdimisht i ka hedhur poshtë akuzat se qeveria ruse qëndron prapa sulmeve kibernetike dhe se po provon që të përzihet në zgjedhjet e SHBA-së.
Gjatë debatit Clinton e akuzoi Rusinë për dorëzimin e informatave të vjedhura tek faqja e hapur e internetit, WikiLeaks, që ka publikuar një numër të emaileve të fushatës së saj.
WikiLeaks më 15 Tetor ka publikuar transkriptet e hakuara të fjalimeve të paguara që ajo i ka mbajtur para kompanive të Wall Street duke iu shmangur kritikave të drejtpërdrejta për industrinë e fuqishme financiare në SHBA për shkaktimin e krizës financiare me 2008.
Debati në Unversitetin e Las Vegasit, Nevada, u zhvillua në kohën e dobësimit të mbështetjes për Trumpin nga votuesit, që prej 8 tetorit kur u publikuan regjistrimet e vitit 2005 ku ai shihet duke bërë komente fyese dhe volgare për gratë.
Një numër i grave kanë folur publikisht që atëherë dhe e kanë akuzuar Trumpin për sulme seksuale ndaj tyre.
Trump ka vazhduar që t’i kundërshtojë fuqishëm akuzat gjatë debatit, duke i cilësuar ato si “fiksion”
"Ato rrëfime janë plotësisht të pavërteta”, tha Trump. “Unë madje nuk i kam kërkuar falje as gruas sime që është ulur në sallë, sepse nuk kam bërë gjë”.
Clinton iu përgjigj, duke cituar sulmet e Trump që i ka bërë ndaj akuzueseve të tij, duke thënë se kundërshtari i saj “mendon se nënçmimi i grave e bën atë më të madh” (REL)