Para nesh është një nga sfidat më të mëdha, që kërkon të demonstrojmë dhe dëshmojmë se kemi kapacitet dhe vullnet për të organizuar zgjedhje, që i përmbushin standardet ndërkombëtare, rezultati i së cilave do të jetë plotësisht i pranueshëm nga të gjitha palët", tha në intervistën për Radion Evriopa e Lirë, zv.kryeministri për Integrime Evropiane në Maqedoni, Arbër Ademi.
Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, përderisa Maqedonia tashmë një kohë të gjatë gjendet në një krizë të thellë politike, në ç'masë kjo krizë ka bllokuar procesin e integrimeve për vendin?
Arbër Ademi: Kriza politike, përfundimisht, ka reflektuar edhe në dinamikën e zbatimit të reformave. Bisedimet politike në mes aktorëve politikë në Republikën e Maqedonisë janë zhvilluar tejet gjatë, por mendoj se me ndërmjetësimin e SHBA-së dhe BE-së gjatë muajve të fundit, janë shënuar hapa pozitivë në drejtim të zgjidhjes përfundimtare të kësaj krize. Zbatimi i plotë i detyrimeve, të cilat rrjedhin nga marrëveshja politike e 20 korrikut, të konfirmuara edhe në marrëveshjen e 31 gushtit, paraqesin parakusht themelor për të organizuar zgjedhje të drejta, të besueshme dhe demokratike.
Kjo paraqet prioritet parësor për Qeverinë, Kuvendin, besoj se edhe për të gjitha partitë politike në vend. Para nesh është një nga sfidat më të mëdha, që kërkon të demonstrojmë dhe dëshmojmë se kemi kapacitet dhe vullnet për të organizuar zgjedhje, të cilat i përmbushin standardet ndërkombëtare, përkatësisht zgjedhje, rezultati i të cilave do të jetë plotësisht i pranueshëm nga të gjitha palët.
Radio Evropa e Lirë: Meqë në fare pak ka mbetur nga publikimi i Raportit të progresit për Maqedoninë nga BE-ja, si ministër përgjegjës për euro-integrimet, mund të na thoni se cfarë raporti mund të presim? A ka gjasa ta humbasë Maqedonia rekomandimin përderisa thoni se Maqedonia, si rrjedhojë e krizës politike, ngec në shumë dimensione sa i përket realizimit të reformave?
Arbër Ademi: Kur jemi te Raporti i Komisionit Evropian, unë besoj se si gjithmonë do të kemi një raport korrekt, në të cilin do të reflektohen dhe të arriturat tona, por i njëjti do të përmbajë dhe rekomandime, por edhe vërejtje, veçanërisht për fushat që janë të përfshira në reformat, të cilat janë me prioritet. Unë jam optimist dhe unë besoj se Maqedonia si shtet, akoma ka perspektivë evropiane. Këtë e konfirmon edhe vizita e fundit e komisionarit për Zgjerim dhe Fqinjësi, zotit Johanes Hahn, dhe neve na mbetet që pasi të kemi organizuar zgjedhjet në dhjetor, të përkushtohemi maksimalisht për të përmbushur reformat e kërkuara, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me sundimin e së drejtës, ekonominë dhe me procesin e harmonizimit të legjislacionit të vendit me të drejtën e Bashkimit Evropian.
Radio Evropa e Lirë: Thoni se Maqedonia nuk do ta humb rekomandimin për anëtarësim në BE, ku e bazoni këtë bindje?
Arbër Ademi: Unë besoj se nuk do ta humbim rekomandimin për anëtarësim për shkak se Maqedoni prej kohësh ka plotësuar kushtet për të filluar negociatat me BE-në, por nuk duhet harruar se procesi euro-integrues është dhe një proces politik, ku marrja e vendimeve varet nga vendet anëtare të BE-së dhe nuk duhet të kemi dyshime se ne, si Qeveri, nuk jemi të interesuar për përmbajtjen raportit dhe se nuk jemi të interesuar për vendimet e Këshillit të Bashkimit Evropian, por përkundrazi ne kemi vënë në dispozicion të gjitha kapacitet tona dhe plotësisht jemi të angazhuar për realizmin e qëllimit tonë strategjik dhe ai është anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian, si një alternativë e vetme për një ardhmëri të vetme për vendin tonë dhe qytetarët e Maqedonisë.
Radio Evropa e Lirë: Një nga kërkesat kyçe të Brukselit është krijimi i kushteve për të funksionuar pa pengesa Prokuroria Publike Speciale duke eliminuar të gjitha pengesat që mund t'i bëhen nga cilado palë apo institucion. Ndërkohë, Parlamenti nuk mbështeti ligjet që kërkoi Prokuroria Publike Speciale siç është ai për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe vazhdimi i mandatit të këtij institucioni. Sa paraqet pengesë kjo për funksionimin e Prokurorisë Speciale?
Arbër Ademi: Prokuroria Speciale Publike është një institucion i ri, por me një rol tepër të rëndësishëm, veçanërisht në aspektin e kthimit të besimit të qytetarëve në sistemin tonë juridik. Besoj se Prokuroria Speciale publike, si dhe institucionet e tjera, me të cilat ajo komunikon, do të kenë sukses që të realizojnë dhe detyrimet e tyre ligjore. Obligimi i partive politike, po edhe i Kuvendit në përputhje me marrëveshjen politike ndërmjet katër partive politike kryesore të vendit është që të ofrojnë mbështetje të vazhdueshme, në mënyrë që Prokuroria Speciale Publike si institucion, të kryejë punën e saj për të cilën dhe është themeluar.
Unë jam i bindur se e vetmja mënyrë për të përfunduar krizën e gjatë politike, në të cilën është futur Maqedonia si shtet, është konsensusi përkatësisht zgjidhjet konsensuale, zgjidhjet gjithëpërfshirëse. Iniciativat që dalin nga vetë procesi i Përzhinos, apo procesi që ka të bëjë me marrëveshjen e Shkupit, duhet të jenë të përbashkëta dhe assesi të njëanshme, sepse kjo rrënon konsensusin, e me rrënimin e konsensusit mund të vihet në pikëpyetje edhe vetë marrëveshja politike. Ne duhet të fokusohemi në zbatimin e plotë të marrëveshjes politike si e vetmja mënyrë, e vetmja rrugëdalje nga kriza politike.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, pasi deputetët e mazhorancës refuzuan të votojnë ligjet që kërkoi Prokuroria Speciale Publike (ai për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe vazhdimin e punës së këtij institucioni) Ambasada Amerikane në Shkup, doli me një reagim ku theksohet se i konsideron si të arsyeshme kërkesat e Prokurorisë Speciale Publike për ndryshimin e Ligjit për dëshmitarë të mbrojtur dhe për vazhdimin e afatit të hetimeve...
Arbër Ademi: Sërish e theksoj se, që të mos etablohen, vendosen precedenca të rrezikshme, duhet të fokusohemi në gjetjen e një konsensusi. Dhe, të gjitha iniciativat, të cilat burojnë nga procesi i Përzhinos, duhet të jenë iniciativa gjithëpërfshirëse, iniciativa të përbashkëta dhe jo iniciativa të njëanshme, sepse ato mund ta sjellin në rrezik marrëveshjen politike dhe me këtë të bëhen hapa prapa në drejtim të zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni.
Radio Evropa e Lirë: Për më pak se dy muaj Maqedonia do të duhet të përballet me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përmes së cilave synohet të dalë vendi nga kriza e thellë politike. Cili është vlerësimi juaj rreth përmbushjes së kushteve për të, pas një procesi të besueshëm për të dalë vendi nga kriza dhe të hapen perspektivat integruese?
Arbër Ademi: Mua më gëzon fakti se të gjithë aktorët politikë të Maqedonisë, e veçanërisht katër aktorët më të mëdhenj politikë në Maqedoni, kanë konstatuar më 31 gusht të këtij viti se janë plotësuar kushtet themelore për të organizuar zgjedhje që i plotësojnë standardet ndërkombëtare. Tani të gjithë faktorët politikë janë shprehur se janë për zgjedhje...
Tani është shumë e rëndësishme që të organizojmë zgjedhje ku nuk do të ketë kontestime, ku nuk do të ketë kundërshtime, pra zgjedhje që do të prodhojnë një rezultat, i cili do të jetë i pranueshëm jo vetëm për spektrin politik në vend, por edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë. Pra, zgjedhje të cilat duhet të prodhojnë argumente se Maqedonia e meriton perspektivën evropiane.