Serbia dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshje për themelimin e Odës së përbashkët Ekonomike, me seli në Tiranë. Marrëveshjen në Forumin biznesor në Nish e kanë nënshkruar kryetarët e odave Ekonomike Marko Çadezh dhe Luan Bregasi.
Në Forumin biznesor në Nish po marrin pjesë rreth 300 ndërmarrës nga Serbia dhe Shqipëria.
Bashkëpunimi ndërmjet ndërmarrësve nga Shqipëria dhe Serbia është tema e forumit të pjesëmarrësve nga të dyja vendet, që filloi punimetnë Konviktin e Oficerëve në Nish – në juglindje të Serbisë.
Në Forumin Biznesor po marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, të cilët kanë folur në forum, ndërkohë që një prezantim për aktivitetin rajonal të Bankës Botërore do ta mbajë drejtoresha rajonale Ellen Goldstein.
Sipas shifrave zyrtare, të dhëna nga Oda Ekonomike e Serbisë, në pjesën e parë të vitit 2016 shkëmbimi tregtar ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë ka qenë 77.8 milionë euro.
Shqipëria ka eksportuar në Serbi 17.3 milionë euro domate, cement, veshmbathje dhe derivate, ndërkohë që Serbia në Shqipëri ka eksportuar misër, miell, grurë, ujë dhe energji elektrike në një vlerë prej 60.5 milionë euro.
Nish: Ka filluar forumi biznesor Serbi – Shqipëri
Në Nish sot ka filluar forumi biznesor Serbi – Shqipëri, me pjesëmarrjen e afro 300 ndërmarrësve, ndërsa takimin e kanë hapur kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama.
Vuçiq tha se është ndërtuar besimi i dy popujve, ndërsa tash radhën e ka forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e këmbimit tregtar ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, raporton agjencia Beta.
“Është shumë e rëndësishme që të sillemi në mënyrë racionale”, tha Vuçiq dhe ka shtuar se “pavarësisht nga dallimet politike, kemi ndërtuar besim, pasi konsideroj se dëshirojmë miqësi”.
Sipas kryeministrit të Serbisë, të dy shtetet i lidhë edhe përcaktimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.