Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një debati në kuadër të Forumit të Sigurisë në Beograd, të enjten ka kërkuar nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, që Serbia ta njohë Kosovën sa më parë.
“Qëndrimi im është që Serbia duhet sa më parë ta pranojë Kosovën, sepse kështu do të jetë më mirë për të gjithë”, tha zoti Rama, dhe ka shtuar se “ekziston procesi, të cilin e mbështes, e ky është dialogu, që është mjet i rëndësishëm për të ardhmen”.
Ai ka përsëritur se Kosova është çështje për të cilën Shqipëria dhe Serbia nuk pajtohen, ndërsa njëra nga çështjet aktuale e këtyre mospajtimeve, është pronësia e kombinatit Trepça.
Zoti Rama e ka shtruar pyetjen se ndoshta Serbia “dëshiron që ta transferojë” këtë ndërmarrje dhe theksoi se Trepça gjendet në territorin e Kosovës.
“Njerëzit duhet ta kuptojnë se Trepça është xeherore në territorin e Kosovës dhe iu takon qytetarëve të Kosovës, pavarësisht se a janë shqiptarë apo serbë”, tha Edi Rama.
Gjatë debatit, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi do ta vazhdojë dialogun me Prishtinën.
“Kam shumë argumente të them se pala tjetër është fajtore, por këtë nuk do ta them”, tha Vuçiq, dhe ka shtuar se “konkludimi im është se do ta vazhdojmë dialogun në mënyrë energjike dhe të përkushtuar, sepse ky është kusht për zhvillim të të gjithë rajonit, përmirësimit të standardit në Serbi dhe këtë duhet ta bëjmë për të ardhmen e raporteve serbo-shqiptare, që janë dy kombet më të mëdha në Ballkan”.
Duke u shprehur për arrestimin e zyrtarit të latë të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, Vuçiq ka theksuar se edhe ai si kryeministër i Serbisë ka mundur që si argument kyç për ndërprerjen e dialogut ta përdorë rastin e Oliver Ivanoviqit, i cili tash e dy vjet e gjysmë gjendet në burg në Mitrovicë.
“A mendoni me të vërtetë se dikush për shkaqe politike e ka arrestuar Thaçin”, e ka shtruar pyetjen Aleksandar Vuçiqi, dhe ka shpjeguar se ai është arrestuar “në bazë të një fletarresti të vitit 1997”.
Kuvendi i Kosovës tashmë e ka miratuar një rezolutë, me të cilën kërkon lirimin e menjëhershëm të drejtorit rajonal të policisë, Nehat Thaçi, i cili po mbahet nën masën e arrestit në Serbi.
Duke u shprehur për integrimet euroatlantike, Aleksandar Vuçiq, tha se në mesin e popullit ekziston një mbështetje e gjerë për prani më të madhe të Rusisë në Serbi.
“Ju kam thënë qytetarëve se jam kryeministër derisa jemi në rrugën evropiane, por njëherësh do të punoj për t’i ruajtur raportet e mira me Rusinë”, tha Vuçiq.
Për procesin e integrimit evropian, zoti Vuçiq, ka theksuar:
“Ne nuk duhet të turpërohemi se jemi nga Ballkani...por problemi është se shumë njerëz duhet ta kuptojnë vullnetin e popullit dhe atmosferën e përgjithshme, që të gjithë ne e kemi keqkuptuar, së bashku me udhëheqjen evropiane”, tha Vuçiq, dhe ka shtuar se në Ballkan po shtohet nacionalizmi.
Duke u shprehur për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, kryeministri i Shqipërisë, Rama, tha se ky proces është “rrugë e modernizimit”.
“Mendoj se ne, së paku këtu në Ballkan, duhet ta kemi të qartë një pikë të thjeshtë. Procesi i Bashkimit Evropian për ne nuk është udhëtim për të shkuar diku, por është rrugë e modernizimit, e cila është e mundshme për shoqëritë tona, që ta plotësojmë hendekun kah e ardhmja. Kjo është e mundshme vetëm nëpërmjet procesit të integrimit evropian”, tha Edi Rama. (REL)
Përgatiti: Fatmir Bujupi