Putin thotë se Rusia nuk po ndërhynë në zgjedhjet në SHBA

Presidenti rus, Vladimir Putin


Presidenti rus, Vladimir Putin ka mohuar akuzat e Shteteve të Bashkuara, se Moska po ndërhynë në zgjedhjet presidenciale amerikane, përmes orkestrimit të një sërë sulmesh kibernetike, që kanë pasur për cak organizatat politike por edhe individë të caktuar.

Zyrtarët në SHBA kanë akuzuar Moskën për koordinimin e sulmeve kibernetike të email-ave të individëve dhe grupeve, përfshirë edhe Komitetin Kombëtar Demokratik, përpara zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit.

Shtëpia e Bardhë ka thënë më 11 tetor se do të konsiderojë mundësitë e një shumëllojshmërie të përgjigjes ndaj këtyre sulmeve.

Putin, duke folur në një forum biznesi në Moskë, ka thënë se zyrtarët amerikanë janë duke “abuzuar me retorikën anti-ruse”, që sipas tij “ka helmuar marrëdhëniet tona bilaterale”.

“Ata e kanë nisur këtë histeri, duke thënë se sulmet kibernetike janë në interesin e Rusisë”, ka thënë Putin.

“Por kjo nuk ka të bëjë fare me interesat e Rusisë”, ka shtuar presidenti rus.

Putin ka thënë se akuzat po bëhet me qëllim që të shpërqendrohet vëmendja e votuesve amerikanë.