Prokurori i shtetit i konfirmon Thaçit zotimin për ndriçimin e krimeve

Ilustrim

Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka konfirmuar përmes një komunikate për media se ka pranuar katër shkresa nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në lidhje me zbardhjen e krimeve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

“Prokurori i Shtetit, edhe njëherë konfirmon përkushtimin e tij kushtetues dhe ligjor në ndjekjen, hetimin dhe dërgimin para gjykatave e të gjithë atyre që kanë kryer vepra penale”, thuhet në komunikatë.

Në këtë drejtim, vijon komunikata, janë bërë hapa konkret në luftimin e shumë dukurive negative, kurse Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë vendim me të cilin ka themeluar Departamentin për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar dy prokurorë në Departamentin e Krimeve të Luftës, me qëllim të rritjes së resurseve brenda Prokurorisë Speciale, e me fokus të posaçëm në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës.

Aty bëhet me dije se janë 167 raste me 456 persona, nga prokurorët e EULEX-it, kurse janë transferuar 69 raste me 218 persona tek prokurorët vendor në Departamentin e Krimeve të Luftës.

Krimet e luftës, thuhet në komunikatë, kanë ndodhura në, Mejë, Dubravë, Qyshk, Lubeniq, Grashtica dhe Krusha e Madhe. Këto cilësohen si lëndë në të cilat po punojnë intensivisht prokurorët për përfundimin e tyre.

Gjatë hetimeve të zhvilluara janë lëshuar deri më tani 6 letër rreshtime me 15 persona, ndërsa që janë trajtuar dhe po trajtohen edhe 24 raste të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës.

Andaj, Prokurori i Shtetit konsideron se letra e Presidentit të Republikës së Kosovës është në përputhje me objektivat e Prokurorit të Shtetit, dhe se për mënyrat se si të arrihet deri te një situatë e tillë, tashmë ka kohë që janë diskutuar modalitete brenda zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Në këtë drejtim Prokurori i Shtetit, zotohet se do të bëj gjithçka në mundësitë e tij kushtetuese dhe ligjore, për të kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor e ndërkombëtar në marrjen e dosjeve ku mund të gjenden prova rreth pretendimeve për krimet e ndodhura gjatë dhe pas luftës së vitit 1999.

“Në të gjitha ato raste ku ka hapësirë për veprim, Prokurori i Shtetit do të veproj me gjithë forcën e ligjit dhe do të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime”, vijon komunikata.

Prokurori i Shtetit siguron opinionin se po punon në krijimin e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore në adresimin e këtyre dhe shumë çështjeve tjera.

Ai fton Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera që t’ia lehtësojnë dhe mundësojnë arritjen e objektivave të Prokurorit të Shtetit, duke përmirësuar kushtet e punës, rritjen e buxhetit, si dhe përmes ndryshimeve ligjore në ligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ligjit për Prokurorinë e Shtetit dhe ligjeve tjera relevante.

Kjo mbështetej, cilësohet si parakusht themelor krijimi i kushteve elementare në resurset njerëzore dhe infrastrukturës ligjore në luftimin, hetimin dhe ndjekjen e suksesshme të krimeve që kanë ndodhur që nga viti 1999 e deri në ditët e sotme. (REL)