Lista Serbe: Ngrirje e pjesëmarrjes në punën e Kuvendit të Kosovës

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë

Deputetët e Listës Serbe sot kanë vendosur për ngrirje të pjesëmarrjes në punën e Kuvendit të Kosovës dhe kanë deklaruar se në emër të interesave të popullit serb dhe demokracisë “me neveri e hedhin poshtë dhunën politike dhe juridike të parlamentit kosovar” për çështjen e Trepçës.

Mëtutje në kumtesën e Listës Serbe theksohet se nuk e njohin asnjë vendim lidhur me çështjen e Trepçës, i cili është miratuar pa marrëveshje me përfaqësuesit politikë të serbëve.

Kjo listë ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit të Kosovës për pronësi të kombinatit Trepça është ilegal dhe se ishte akt i vetëdijshëm për shkeljen e interesave të popullit serb në Kosovë, raporton agjencia Beta.