Menaxhmenti serb në veri: Nuk e pranojmë Ligjin për Trepçën

Pamje nga protesta e serbëve në veri gjatë ditës së premte kundër projektligjit për Trepçën.

Strukturat udhëheqëse të Trepçës në pjesën veriore të Mitrovicës thonë se miratimi i Ligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës, është i pavlefshëm dhe se nuk do ta zbatojnë.

Gjatë një konference për media, menaxhmenti serb në veri i kombinatit Trepça ka theksuar se “çdo vendim në lidhje me statusin ligjor të Trepçës pa marrëveshje edhe me serbët konsiderohet i pavlerë dhe i parealizueshme në territorin e katër komunave në veri të Kosovës.

“Me këtë vendim është dërguar porosia më e keqe e mundshme për palën serbe, thjesht se ata nuk ekzistojnë. Pavarësisht kësaj, do të provojmë që të vazhdojmë me punë dhe prodhim në këtë fabrikë deri te dalja nga kjo situatë e vështirë e imponuar”, ka thënë udhëheqësi serb në veri i kombinatit Trepça, Jovan Dimkiq.

Ndryshe, mijëra qytetarë serb të komunave të veriut të Kosovës kishin protestuar gjatë ditës së djeshme kundër projektligjit për Trepçën.

Në protestën e mbajtur në rrugën Mitrovicë - Leposaviq, kishin marrë pjesë kryetarët e katër komunave veriore të vendit, Mitrovicës së veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ministra serb të Qeverisë së Kosovës, të cilët vijnë nga radhët e Listës Serbe, dhe zyrtarë të qeverisë së Serbisë.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas mesnatës së të premtes, Ligjin për Trepçën, me të cilin, siç thanë deputetët, gjiganti ekonomik do të rimëkëmbet dhe do të rikthehet në treg.

Me 79 vota për, asnjë kundër dhe 14 abstenime, deputetët e kaluan Ligjin e plotësuar, i cili ngjalli kundërshtimet e deputetëve të Listës Serbe, që nuk qëndruan deri në fund të seancës së dytë, në sallë.