Kërkim-falje e rrallë e Donald Trumpit

Trump në një foto të vitit 2005 për emisionin "Days of Our Lives" me aktoren Arianne Zucker.

I nominuari republikan për president amerikan, Donald Trump, ka kërkuar falje, pas kritikave publike të disa republikanëve të njohur, për shkak të paraqitjes së një xhirimi të vjetër gati një dekadë, ku ai shihet duke folur në mënyrë vulgare për femrat dhe për thënien e tij se ai mund “t’i kap ato” dhe të bëj “çdo gjë” pasi ai ishte “një yll”.

Ky pranim i rrallë i gabimit nga biznesmeni tejet i pasur nga Nju Jorku, u bë në periudhën e garës së ashpër me kandidaten demokrate, Hillar Clinton, një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në Shtetet e Bashkuara dhe në periudhën kur republikanët janë të përçarë lidhur me kandidaturën e Trumpit dhe parashikimet se çka do të thotë kjo për këtë parti konservatore.

Në deklaratën e publikuar zoti Trump tha: “isha gabim dhe kërkoj falje”. Ai shtoi se fjalët që i ka përdorur në videon treminutëshe të vitit 2005, “nuk reflektojnë se kush jam unë”.

“Asnjëherë nuk kam thënë se jam person perfekt, e as që kam pretenduar se jam dikush që nuk jam”, thuhet në deklaratën e të nominuarit republikan për president, dhe shtohet se “kam thënë dhe kam bërë gjëra për të cilat shpreh keqardhje dhe fjalët e publikuara në këtë video të vjetër më tepër se një dekadë, janë njëra prej gjërave të tilla”, tha ai.

Nuk është e qartë se kush i furnizoi gazetarët me këtë video, që nuk ishte transmetuar në vitin 2005, e në të cilën Trump flet me fjalë veçanërisht të ndyta me personin Billy Bush, nga shou me tematikë argëtuese, Access Hollywood.

Në video, Donald Trump thotë: “kur ju jeni yll ato ju lejojnë juve që ta bëni atë. Ju mund të bëni çdogjë”.

Ai, po ashtu, është mburrur për veprimet e tij ndaj grave të martuara.

Fushata e rivales së tij demokrate, Hillary Clinton, me të shpejtë i ka kritikuar komentet e Donald Trumpit.

Hillary Clinton, e cila shpreson që të zgjedhet femra e parë presidente në historinë e Shteteve të Bashkuara, tha se këto komente të rivalit të saj, ishin “tmerruese”.

“Ne nuk mund të lejojmë që ky person të bëhet president”, tha zonja Clinton, derisa fushata e saj e ka publikuar një video ku argumentohet se “vajzat tona meritojnë më mirë” se Trumpi në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo video, po ashtu, ka shkaktuar kritika të ashpra të liderëve të Partisë Republikane, e cila aktualisht po ballafaqohet me tensione për shkak të sfidës së biznesmenit të pasur ndaj establishmentit republikan.

Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit amerikan, Paul Ryan, republikan nga shteti Uiskonsin, e ka tërhequr ftesën për një paraqitje të përbashkët me zotin Trump këtë fundjavë, ndërsa lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell, republikan nga Kentaki, ka vlerësuar se komentet e Trumpit ishin “neveritëse” dhe “të papranueshme në asnjë rrethanë”.

Kryesuesi i Partisë Republikane, Reince Priebus, i cili duket se kishte qëndruar me zotin Trump, gjatë komenteve paraprake kundërthënëse të tij, tha se “asnjë femër asnjëherë nuk duhet të përshkruhet me këto fjalë ose të flitet për to në këtë mënyrë”.

Anëtari i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Jason Chaffetz, ka shpallur se ai e ka tërhequr mbështetjen e tij për Trumpin, duke thënë thjesht se “me vetëdije të mirë nuk mund ta mbështes një person të tillë për president”.

Në kërkim-faljen e tij Donald Trump, ka vlerësuar se publikimi i videos paraqet “çmenduri” dhe e ka akuzuar Hillary Clintonin, për “sulm, turpërim dhe keqtrajtim të viktimave”, të asaj që Trump e ka cilësuar si “abuzim” nga ish-presidenti, Bill Clinton, bashkëshort i zonjës Clinton.

Republikanët janë, po ashtu, të shqetësuar për efektet e nominimit të Trumpit në kandidatët e kësaj partije në zgjedhjet për Senat, Dhomën Përfaqësuese dhe për institucionet lokale, në zgjedhjet e 8 nëntorit.

Hulumtimet e opinionit në Shtetet e Bashkuara tregojnë se pritet një garë e ashpër në këto zgjedhje, megjithëqë zonja Clinton ka një epërsi të lehtë, para debatit të dytë presidencial, që parashihet të mbahet nesër vonë në mbrëmje.

Përgatiti: Fatmir Bujupi