Mbajtja dhe besueshmëria e zgjedhjeve, çelësi i zgjidhjes së krizës

Ilustrim

Gati dy muaj nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të parapara më 11 dhjetor, në opinion kanë nisur të qarkullojnë informacione mbi mundësinë e dështimit të sërishëm të tyre.

Partitë zyrtarisht deklarohen se janë për zgjedhje, por një letër që kreu i Lidhjes Social-demokrate, Zoran Zaev, i dërgoi kohë më parë përfaqësive diplomatike mbi rrezikun e dështimit të zgjedhjeve, për shkak të pretendimeve për presione ndaj prokurorisë speciale nga ana e partive qeverisëse, si dhe lëvizje tjera në skenën politike, që e vejnë sërish në rrezik mbajtjen e zgjedhjeve.

Për të ruajtur pozicionet e tyre, apo për t'iu shmangur përgjegjësive, partitë politike nuk do të zgjedhin mënyra për të penguar procesin e zgjidhjes së krizës politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, Denko Malevski, njohës i çështjeve politike dhe ish ministër i Punëve të Jashtme.

Ai thotë se Maqedonia ndodhet në fazën më delikate që nga pavarësimi i saj, me një demokraci të pakonsoliduar dhe institucione jo të besueshme, që doemos duhet të ndryshojnë pas zgjedhjeve të dhjetorit.

“Politikanët tanë nuk zgjedhin mënyrë për t'i ikur asaj që duhet të bëhet në Maqedoni, që në kuptimin e vërtetë të fjalës të bëhet një shtet demokratik. Një nga kushtet kryesore që kjo të ndodhë është që zgjedhjet të mbahen në dhjetor, dhe jo vetëm të mbahen, por ato të jenë të besueshme përmes një procesi relativisht të kënaqshëm zgjedhor."

"Këto zgjedhje vlerësoj se duhet të jenë vetëm fillimi i një transformimi të plotë të sistemit që të mund të jetojmë në kushte të një pushteti demokratik me institucione të kontrolluara, të besueshme dhe që janë në shërbim të popullatës dhe jo të grupeve të caktuara të interesit”, shprehet Maleski, duke theksuar nevojën e mos shtyrjes së zgjedhjeve.

Sefer Tahiri, njohës i çështjeve politike dhe profesor i shkencave të komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë se shtyrja e zgjedhjeve do të shkaktonte turbulenca të reja që mund të kenë pasoja edhe ndaj stabilitetit të sigurisë.

“Mendoj se shtyrja e zgjedhjeve do të jetë një luks i panevojshëm, që do të ndërmerrej nga pushteti, pra, do të ishte një lojë të cilës nuk do të dihej fundi. Kjo mendoj se do t'i kushtonte shumë Maqedonisë, jo vetëm në planin politik, por edhe në aspekt të stabilitetit të sigurisë”, thotë Tahiri, duke shtuar se mbajtja e zgjedhjeve në atmosferë të lirë dhe demokratike, me rezultate të besueshme, do të ishte mënyra e vetme për dalje nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhet Maqedonia në dy vitet e fundit.

“Vlerësoj se përfundimisht është shumë e rëndësishme për vendin që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 11 dhjetor, për shkak se do të jenë një hap drejt zgjidhjes politike, e cila ka kapluar vendin gjatë këtyre dy viteve të fundit pas publikimit të bombave të opozitës maqedonase. Pra, është e rëndësishme që ato të zhvillohen në një atmosferë korrekte, sepse vetëm në këtë mënyrë do të kemi një legjitimim të rezultatit zgjedhor, i cili do të ishte i pranueshëm për të gjithë faktorët politik”, thekson Tahiri.

Data e zgjedhjeve është caktuar më 11 dhjetor, pasi paraprakisht partitë kanë realizuar disa nga obligimet kryesore të marrëveshjes politike, si pastrimin e listës zgjedhore, mënyrën e kontrollit të punës së medieve, formën e funksionit të qeverisë kalimtare.

Por, pavarësisht kësaj, mundësia e shtyrjen së zgjedhjet nuk përjashtohet, bazuar në përplasjet mes tyre për çështje të ndryshe. Brenda këtij viti, partitë kishin caktuar dy data të zgjedhjeve më 24 prill dhe 5 qershor, por ato u shtynë pikërisht për shkak të mospajtimeve për pikat e marrëveshjes, e cila ishte arritur me ndihmën e diplomatëve perëndimor. (REL)