Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë udhëhiqet nga qasja vëllazërore ka deklaruar, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Ky bashkëpunim, sipas Thaçit, udhëhiqet nga “interesi i përbashkët për të thelluar ndërveprimin politik, ekonomik e kulturor, si dhe për të avancuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, projekt themelor ky në shërbim të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit”.
Ai është shprehur se pas marrëveshjeve dypalëshe dhe mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, shkëmbimet tregtare mes dy shteteve ka arritur shifrën e 200 milionë eurove.
Gjatë kësaj vizte, Thaçi është pritur nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani si dhe kryeministri Edi Rama.
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka thënë se Kosova është konsoliduar si shtet dhe po vazhdon me sukses reformat në ekonomi, në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të qeverisjes së mirë. Ai është zotuar se Shqipëria gjithmonë do të jetë avokuese e Kosovës në forume ndërkombëtare.
Kurse pas takimit me kryeministrin, Edi Rama, ky i fundit ka deklaruar se bashkëpunimi rajonal është çelës i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit në rajon.
Ndër projektet kryesore rajonale është veçuar sidomos ai infrastrukturor që ndërlidhë Durrësin,Prishtinën dhe Nishin dhe sigurimi i përkrahjes për nisma rajonale të bashkëpunimit.