KMDLNJ: “Serbia dëshiron të baraspeshojë krimet me arrestime”

Ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e ka cilësuar arrestimin e drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, si përpjekje të “Serbisë për të amnistuar”, siç thotë “strukturat kriminale që kanë kryer krime në Kosovë duke bërë baraspeshim me arrestimin e zyrtarëve të Kosovës”.

Në një deklaratë, KMDLNJ, thekson se “nuk është hera e parë që qytetarët e Kosovës “arrestohen nga autoritetet serbe dhe malaziase por edhe nga ato ndërkombëtare”, bazuar mbi kërkesën e Serbisë drejtuar Interpolit” dhe kur edhe në raste të tjera, thotë Këshilli, “janë ndaluar dhe arrestuar edhe bartësit më të lartë institucional”.

Duke theksuar rëndësinë që “si ish ushtar i UÇK-së Nehat Thaçi është dashur të jetë shumë i kujdesshëm kur ka vendosur të udhëtojë përmes territorit të Serbisë”, KMDLNJ thotë se “ai i ka besuar marrëveshjes për liri të lëvizjes të nënshkruar në Bruksel sikur që ka rënë viktimë e naivitetit të vet duke ditur se një person që është bartës i një posti të lartë në hierarkinë e Policisë së Kosovës dhe me një të kaluar të qenit ushtar i UÇK – së, mund të kalojë pahetueshëm nëpër territorin e Serbisë”.

KMDLNJ ka kritikuar siç thotë “mosreagimin e institucioneve të Kosovës” të cilat kanë kërkuar “nga EULEX dhe BE të intervenojnë për lirimin e Nehat Thaçit” dhe që sipas Këshillit tregon “pafuqinë institucionale dhe shtetërore”.

KMDLNJ i cilëson si “manipulim” paralajmërimet e, siç thotë, “ministres për dialog për adresimin e çështjes në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit” duke kritikuar institucionet e vendit për, siç thotë, “defensivë të plotë përmes kërkesës nga BE, Eulex dhe Serbia për një çështje që është dashur të zgjidhet shumë më herët siç janë listat e fshehta për arrestim të zyrtarëve të Kosovës”.

Këshilli vlerëson se “Serbia me këto arrestime kriminale vetëm sa po përfiton politikisht”.

KMDLNJ ka ripërsëritur thirrjen për të gjithë ata, siç thotë, “që kanë të bëjnë me luftën UÇK-së që ta anashkalojnë territorin e Serbisë gjatë udhëtimit në shtetet tjera”.