Banka Botërore parasheh rënie të ulët të rritjes ekonomike në Kosovë

Logo - Banka Botërore

Banka Botërore ka parashikuar që rritja ekonomike për vitin 2016 në Kosovë të jetë 3.6 për qind, që paraqet një shkallë më të ulët me vitin paraprak, kur ishte 3.9 për qind. Ndërkaq, parashihet një rritje prej 3.7 për qind në vitin 2018,

“Masat rregulluese fiskale, të tilla si reformat e tatimeve dhe lufta kundër informalitetit, kanë vazhduar të rrisin performancën e të hyrave në gjysmën e parë të vitit 2016. Mirëpo, numri i madh i paparashikuar i përfituesve nga skema e transfereve sociale për veteranët e luftës ka shtuar presionet fiskale dhe ka shtyrë deficitin në rreth 2.5 për qind të Bruto Produktit Vendor”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Këto të dhëna, janë publikuar në një konferencë për media në Prishtinë ku Banka Botërore ka prezantuar raportin për rritjen ekonomike në gjashtë vendet e Evropës Juglindore. Kjo rritje për këto vende, u tha sepritet të arrijë në 2.7 për qind në vitin 2016, nga 2.2 për qind sa ishte në vitin 2015.

Sipas raportit të fundit të Rregullt Ekonomik për Evropën Juglindore të Bankës Botërore thuhet se përshpejtimi i moderuar i rritjes është parashikuar të vazhdojë edhe gjatë viteve 2017 dhe 2018.

“Mbështetës i përshpejtimit të rritjes ishte Serbia, ekonomia më e madhe në rajon”, tha Barbara Cunha, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe autore kryesore e raportit.

“Serbia lëvizi nga rritja 0.7 për qind në vitin e kaluar si pasojë e përmbytjeve të vitit 2014 në rritjen e pritshme prej 2.5 për qind këtë vit”.

Ekonomitë e tjera në rajon pritet të mbajnë rritjen në mes 2.8 dhe 3.6 për qind në vitin 2016, me përjashtim të një ngadalësimi në Maqedoni.