Rikthehen protestat në rrugë të “revolucionit shumëngjyrësh”

Nga një protestë e mëhershme në Shkup, qershor 2016

Organizatorët e “revolucionit shumëngjyrësh” kanë paralajmëruar se nga e hëna do të rikthehen në rrugë për të protestuar kundër politikave të Qeverisë së Maqedonisë.

Kësaj radhe, siç thuhet në komunikatën për media, ‘do të protestohet para parlamentit të Maqedonisë’, ngase siç thuhet “pushteti përsëri ka filluar me sulmet kundër Prokurorisë Speciale”.

“Gjatë kësaj periudhe në Parlamentin e Maqedonisë dhe mediat të cilat janë nën kontroll nga i akuzuari Nikolla Gruevski vërehet një propagandë e theksuar kundër Prokurores speciale Publike Katica Janeva”, theksojnë organizatorët e “Revolucionit shumëngjyrësh” në profilin e tyre zyrtar në rrjetin social Facebook.

Ata kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që “sa më parë të prononcohet për kushtetutshmërinë e funksionimit të këtij institucioni”.

Organizatorët e revolucionit shumëngjyrësh si arsye kanë fokusuar faktin që sipas tyre ‘gjykatësit e afërt me pushtetin vazhdojnë t’i refuzojnë kërkesat e Prokurorisë Speciale Publike për paraburgim’.

Besa Arifi, ligjëruese në fakultetin e Drejtësisë në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, konsideron se është shumë indikative se disa herë me radhë është pikërisht qasja e institucioneve të rregullta të shtetit ndaj Prokurorisë Speciale Publike ajo që provokon shprehjen e revoltës nga ana e qytetarëve përmes revolucionit shumëngjyrësh, dhe për këtë nuk ndjehen të shqetësuar bartësit e këtyre institucioneve.

“Ajo që është më shqetësuese në këtë drejtim është pengesa e madhe që kjo qasje e Gjykatës Kushtetuese, po veçanërisht edhe të institucioneve të tjera këtu, siç është gjykata penale Shkupi 1, po së fundmi edhe Parlamenti i Maqedonisë, janë pengesa që i bëhen Prokurorisë Speciale Publike dhe kjo do të thotë shumë për ngecjen e realizimit të drejtësisë në Maqedoni. Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë pavarësisht rrjedhojës së zgjedhjeve, ose kampanjës politike ose diçkaje tjetër”, thekson Besa Arifi, njohëse e çështjeve juridike.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se lufta politike gjatë periudhës së ardhshme do të jetë e ashpër, ngase këto zgjedhje nuk paraqesin vetëm luftë për pushtet por dhe rrugë për t`iu shmangur hetimeve që bën Prokuroria Speciale Publike ku ka shenja, thonë eskpertë të fushës, se zyrtarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në vepra të rënda penale.

Marko Trshanovski nga Instituti për Demokraci thotë se nëse pushteti përballet me një aktivizim të theksuar të qytetarëve si revoltë e shprehur ndaj politikave të qeverisë, atëherë janë të pritshme dhe organizimi i kundër protestave si në të kaluarën.

“Që të dyja palët janë të interesuara që të jenë në fokus të vëmendjes. Është e pritshme që pushteti menjëherë pas organizmit të protestave nga ana e revolucionit shumëngjyrësh të organizojë dhe kundër protesta për të relativizuar porosinë që japin qytetarët në protestat e organizuara nga më shumë organizata joqeveritare“, thekson Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci

Në prag të protestës të së hënës, përfaqësuesit e Revolucionit Shumëngjyrësh, me ngjyra të ndryshme e ngjyrosën Gjykatën Penale Shkup 1.

Organizatorët e “revolucionit shumëngjyrësh” me këtë rast kanë theksuar se “kjo gjykatë është burimi më i madh i pengimit të punës së Prokurorisë Speciale”.

Ndërsa, partia më e madhe maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, hapin e Revolucionit Shumëngjyrësh e quajtën vandalizëm, qëllimi i të cilit është frikësimi i gjyqtarëve që drejtojnë rastin "puç". (REL)