Delegacionet nga Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet në Bruksel, ku temë kryesore është paralajmëruar të jetë kodi telefonik i Kosovës.
Sipas një komunikate të lëshuar për media nga zyra e ministres për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, delegacioni i Kosovës i kryesuar pikërisht nga ministrja Tahiri ka filluar takimet me palën serbe për telekomin, të cilat do të zgjasin deri më 29 shtator.
“Tema kryesore dhe e vetme e këtyre takimeve është kodi telefonik për Kosovën dhe bisedimet do të fokusohen për finalizimin e gjithë hapave, në mënyrë që Kosova ta marr kodin telefonik shtetëror +383 nga ana e Organizatës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit – ITU”, thuhet në komunikatë.
“Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që marrëveshja për telekomin do të zbatohet ashtu siç palët janë marrë vesh më herët dhe se Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje palëve për zbatim të asaj çka janë marrë vesh në Bruksel”, ka deklaruar me këtë rast, ministrja Edita Tahiri.
Bisedimet për telekomin, në bazë të procesit të deritashëm negociues, kanë si qëllim lëshimin e një kodi ndërkombëtar për Kosovën nga ana e ITU-së, si dhe rregullimin e funksionimit të operatorit telefonik në pjesën veriore të Kosovës, që për kah numri i banorëve dominohet nga komuniteti serb.