Kompania e Wesley Clark tri vjet pret licencë për operim

Ilustrim

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, një javë më parë, i kanë kërkuar Ministrit të Financave Avdullah Hoti, që në komision të sjell sqarime rreth një kompanie kanadeze, e cila ka tri vite që ka aplikuar për marrjen e licencës për hulumtimin e mineraleve energjetike në Kosovë.

Kompania “Envidity Energy Kosova” e cila udhëhiqet nga gjenerali tashmë në pension Wesley Clark, i cili kishte udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s, mbi objektivat serbe në vitin 1999, ka shprehur interesim për gazifikimin nëntokësor të qymyreve të Kosovës dhe prodhimit të gazit sintetik, diellit dhe kerozinës.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një mbledhje të Komisionit, u ka kërkuar anëtarëve të Komisionit që te merret një vendim në favor të këtij projekti, me të cilin sipas tij, konstatohet interesi publik nga lëshimi i kësaj licence.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se “herën e parë Komisioni e ka shqyrtuar këtë propozim dhe është vendosur që të trajtohet edhe njëherë së bashku me komentet e pranuara nga anëtarët tjerë të Komisionit” .

Ministri ka shkruar se “Ministria e Financave, me ketë rast ka kërkuar vlerësimin e këtij projekt - propozimi nga aspekti ligjor, teknik dhe financiar”.

Edhe pse anëtarët e Komisionit, janë shprehur në favor të investimeve të jashtme, ata kanë kërkuar që projektet e propozuara të jenë të definuara më saktësisht.

Blerim Grainca, anëtar i këtij Komisioni, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ministri duhet të sjell prova të reja, që lidhen më performancën e kompanisë, sigurinë financiare, dhe hapësirën e shfrytëzimit gjatë hulumtimeve, në mënyrë që, siç thotë ai, një vendim i tillë të jetë në përputhshmëri më ligjet të zbatueshme në Kosovë.

“Edhe pse Ligji mundëson përjashtime të caktuara, deputetët e kanë të drejtën të kërkojnë shpjegime, sepse po flasim për një kompani që kërkon hulumtim në 30 për qind të territorit të Kosovës. Prandaj, çdo kërkesë e deputetëve lidhur më këtë çështje është e arsyeshme dhe konform të drejtave dhe autorizimeve që kanë deputetët.”

Për këtë projekt, por për një sipërfaqe shumë më të vogël të shfrytëzimit të nëntokës, thuhet se ka aplikuar edhe kompania e çimentos “Sharr Cem”.

Edhe zyrtarë të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, (KPMM) i thanë Radios Evropa e Lirë, se në vitin 2013 Kompania "Envidity” ka aplikuar në këtë Komision për tri licenca; sipërfaqja totale e të tri kërkesave ka mbi 3 mijë e 400 kilometra.

Por, Azem Rexhaj, anëtar i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, për Radion Evropa e Lirë, ka treguar përmbajtjen e ligjit.

“Ligji për Miniera dhe Minerale e ka rregulluar qe licencat për minerale energjetike fillimisht duhet te miratohen nga Qeveria dhe Kuvendi. Ndërsa, pas miratimit në Kuvend, kompania aplikon për licencë ne KPMM. Pasi që kompania të ketë plotësuar kriteret e parapara më Ligjin për Miniera dhe Minerale atëherë KPMM bën miratimin e licencës”, ka thënë Rexhaj.

Për t’i dhënë mundësi investimeve të kësaj kompanie në Kosovë, në muajin gusht qeveria e Kosovës, kishte miratuar vendimin më të cilin aprovohet kërkesa e Komitetit për Partneritet Publiko - Privat për konfirmimin e interesit publik nga lëshimi i licencës për projektin e kompanisë ”Envidity”.

Kurse në vitin 2013, është ndryshuar edhe një nen i Ligjit për Miniera dhe Minerale me të cilin thuhet, veç tjerash, “nëse, për shkaqe që ndërlidhen drejtpërdrejtë me nevojën për të siguruar sigurinë e furnizimit energjetik në Kosovë, Qeveria nxjerr vendim me të cilin konstaton se ka interes të rëndësishëm publik në lëshimin e kësaj Licence për një shoqëri të caktuar tregtare e cila operon me kapacitete të rëndësishme të prodhimit energjetik në Kosovë”.

Ndryshe, projekti i kompanisë inkurajon futjen në përdorim të teknologjive të përparuara dhe është në pajtim me standardin mjedisor. Investimet në fazën e parë thuhet se do të jenë 15 milionë dollarë, kurse deri në fazën e tretë investimet do të arrijnë deri në pesë miliardë euro.

Sipas propozimit të kompanisë, fillimisht thuhet se do të krijohen 100 vende pune, kurse më pas numri i të punësuarve do të arrijë në 300. Por, sipas prezantimit të kësaj kompanie në vitin 2015, në fazën e parë kompania synon të prodhojë 1200 fuçi derivate në ditë, kurse në fazën e dytë 20 mijë fuçi derivate për ditë.

Ekspertë për këtë çështje, vazhdimisht kanë ngritur nevojën e hulumtimeve shtesë gjeologjike në basenet ekzistuese të linjitit.

Basenet më të rëndësishme qymyr-mbajtëse janë: Baseni i Kosovës, i Dukagjinit dhe i Drenicës.

Edhe në Strategjinë minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2010- 2025, thuhet se Kosova ka një potencial të konsiderueshëm të mineraleve të dobishme me vend-burime të nivelit evropian, me rezerva të mëdha të qymyrit (linjitit) dhe të plumbit, zinkut dhe argjendit.

Qymyri është resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, i cili furnizon rreth 97% të prodhimit total të energjisë elektrike.

Resurset e vlerësuara të linjitit në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme që nga aspekti ekonomik konsiderohen me leverdi për t'u shfrytëzuar. (REL)