Kosova ngec në zhdukjen e analfabetizmit

Ilustrim

Kosova shënon edhe një vit me përparime fare të vogla për sa i takon uljes së shkallës së analfabetizmit.

Sipas statistikave zyrtare, Dita Ndërkombëtare e Shkrim- Leximit, Kosovën e gjen me 55 mijë qytetarë, të cilësuar si analfabetë të plotë.

Udhëheqësi i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, Halim Hyseni, thotë se kjo dukuri është mjaft shqetësuese dhe nevojitet angazhim i madh i institucioneve në uljen e shkallës së analfabetizmit.

"Gjendja e analfabetizmit në Kosovë është problem i madh i Kosovës dhe i qytetarëve të Kosovës sepse ndryshimet janë shumë të vogla, dhe këto ndryshime nuk mund të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe arsimor të Kosovës. Kosova përkatësisht është e para me numër të analfabetëve primar në Evropë, që nuk dinë shkrim-lexim fare", ka thënë Hyseni.

Problemi më i madh, sipas Hysenit, qëndron te personat mbi moshën 15 vjeçare të cilët dinë shkrim-lexim, por nuk mund ta shfrytëzojnë këtë dije për nevoja individuale.

Sipas tij, analfabetizmi te kjo pjesë e popullsisë e vështirëson edhe më shumë përmirësimin e gjendjes aktuale në Kosovë sa i përket shkrim-leximit.

"Me numër të analfabetëve funksionalë, Kosova e zë vendin e parë në Evropë, do të thotë, këto dy fakte tregojnë se sa është problem analfabetizmi në Kosovë. Duhet të ngritet cilësia e sistemit të arsimit, sepse me këtë cilësi të sistemit të arsimit, nuk mund të fitohen shkathtësitë e lexim-shkrimit. Arsimit definitivisht duhet të shpallet prioritet nacional i Kosovës", thotë Hyseni.

Përveç analfabetizmit të plotë, njihet edhe nocioni analfabetët funksional.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e analfabetizmit te analfabetët funksional është 4,18 për qind.

Ndryshe, në Ministrinë e Arsimit thuhet se po bëhen përpjekje në integrimin e këtyre personave me anë të projekteve të ndryshme.

"Ministria e Arsimit përmes programeve të tyre, pra programe për të rritur që i ofrojmë në të gjitha komunat e Kosovës, programe këto që mbështeten edhe me Ligjin për Arsim Universitar, edhe me Ligjin për arsimin e të rriturve, aty ku ka analfabetë, aty ku ka kërkesa, Ministria e Arsimit ka ofruar programin për shkrim lexim, për gra dhe vajza, i cili më pas edhe është akredituar si klasë e pestë e shkollimit fillor", tha për Radion Evropa e Lirë, Afërdita Jaha, zyrtare për mësim joformal në Ministrinë e Arsimit.

Ministria e Arsimit thekson se që nga viti 2003, gjatë programeve për mësim të shkrim-leximit, kanë kaluar mbi 5 mijë persona.

Shkalla e analfabetizmit në Kosovë mbetet shqetësim mjaft i madh, duke pasur parasysh nevojën për zhvillim të Kosovës, sidomos në fushën e arsimit.

Zhdukja e analfabetizmit, përbën edhe një nga qëllimet që i kanë vënë vetës institucionet e Kosovës edhe në kuadër të përmbushjes së objektivave të mijëvjeçarit. (REL)