Me gjithë tensionet politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, Kuvendi i Kosovës pritet që sot të mbajë një seancë ku do të diskutojë dhe më pas edhe votojë për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.
Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes është vënë në pikën e gjashtë të rendit të ditës së seancës, megjithëse ka patur zëra për mundësinë e shtyrjes së këtij shqyrtimi.
Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të nevojiten dy të tretat apo 80 vota të deputetëve.
Që prej shumë muajsh opozita e ka kundërshtuar fuqishëm Marrëveshjen e arritur me Malin e Zi, duke e cilësuar si të dëmshme për Kosovën, sepse sipas saj, ajo humb 8,200 hektarë tokë.
Për të penguar ratifikimin e kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar aktivitete në Kuvend sikundër edhe protesta në rrugë. Deputeti dhe ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se protesta do të jetë paqësore, por jo edhe e qetë.
“Nuk do të kisha thënë protestë e qetë, sepse jemi njerëz të shqetësuar dhe njerëzit e shqetësuar nuk dalin në protestë të qetë. Por, do të jetë protestë paqësore. Do të jetë protestë masive dhe natyrisht që me vendosmërinë tonë, të cilën do ta shihni nesër, jam i bindur që ne do t’ia arrijmë ta ndalim Demarkacionin”, ka thënë Kurti.
Autoritetet e rendit në Kosovë thonë se janë të përgatitura të përballen me çfarëdo situate të mundshme në aspektin e sigurisë.
Daut Hoxha, zëdhënësi i Policisë së Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se policia është e gatshme të përballet më çdo situatë për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Kosovës.
“Polica për menaxhim të sigurisë në Kosovë angazhon kapacitete të mjaftueshme për të garantuar sigurinë. Policia e Kosovës në bazë të informatave inteligjente që pranon nga njësitet e saj relevante varësisht prej nevojave ndërmerr veprime në shtim të kapaciteteve qoftë në menaxhim dhe kontrollim të turmave, qoftë në menaxhimin e kontrollit në trafik për të mundësuar siguri. Ne kemi plan operacional fleksibil i cili mund t’i përgjigjet situatës të krijuar ne vend”, thekson Hoxha.
Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprim i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rend dhe siguri publike.
Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, një ditë përpara votimit të demarkacionit, përmes një komunikate për media ka rikonfirmuar se shënjimi i kufirit me Malin e Zi është në përputhje të plotë më të gjitha aktet juridike, hartografike dhe dokumentet e mbi 147 familjeve të 10 fshatrave të Komunës se Pejës, Deçanit dhe Istogut të brezit kufitar me Malin e Zi.
“Komisioni ka ofruar fakte të plota se shënjimi i kufirit është bërë në përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974 dhe të gjitha dokumentet tjera juridike nga ajo periudhë deri në vitin 2008 duke shpjeguar edhe kriteret, metodologjinë e aspektet tjera. Komisioni Shtetëror me faktet e ofruara në kontinuitet garanton që Republika e Kosovës nuk e rrezikon asnjë metër katror të sipërfaqes së saj”, thuhet në një komunikatë dërguar medieve.
Autoritetet e Malit të Zi në anën tjetër kanë ritheksuar se nuk do ta ri-negociojnë procesin e Demarkacionit dhe kanë deklaruar se nuk do shqyrtojnë mundësinë e përkufizimit të sërishëm të vijës kufitare me Kosovë.
Dështimi eventual i ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, sipas pritjeve dhe analizave të ndryshme, mund ta çojë Kosovën në një krizë të re e cila besohet se do të drejtonte vendin drejt zgjedhjeve.
Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen për përkufizim të vijës kufitare në Vjenë në fund të muajit gushtit të vitit të kaluar në praninë e presidentit malazez Filip Vujanović dhe kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, si dhe në prani të ministrit të jashtëm të Austrisë Sebastian Kurz.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është kushti i fundit të cilin Bashkimi Evropian pret që Kosova ta zbatojë, para se kjo e fundit ta marrë liberalizimin e vizave. (REL)