Gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë arrestuar nën dyshime se kanë organizuar dhe ekzekutuar sulmin me granatë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, që ndodhi më datën 4 gusht.
Këtë aksion të Policisë së Kosovës, të realizuar në bazë të hetimeve të Prokurorisë, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar të motivuar politikisht, duke konstatuar se aktivistët e saj nuk qëndrojnë prapa sulmit në fjalë.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Policia dhe Prokuroria kanë ofruar edhe fotografi të personave të arrestuar, pastaj të një motoçiklete që thuhet se ishte përdorur për kryerjen e aksionit dhe të armëve që janë konfiskuar, siç u tha, gjatë momentit të arrestimit të këtyre personave.
Një hetues në Policinë e Kosovës, Luan Keka, tha se ky grup ka qenë nën monitorim dhe është kuptuar veprimtaria e tyre deri te dërgimi i komunikatës, kur merret përgjegjësia për kryerjen e sulmit.
“Të gjitha këto prova e kanë ndërlidhur grupin që është arrestuar të martën në mëngjes dhe secila provë ka qenë e ndërlidhur me provën tjetër dhe kemi ardhur deri te rezultati i tanishëm. Ne i kemi kryer gjashtë bastisje, në lokacione të ndryshme në territorin e Prishtinës. Kemi ndaluar, arrestuar dhe shoqëruar për në stacionin policor, gjashtë të dyshuar që ndërlidhen me rastin”, ka thënë Keka.
Ndërkohë, Prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahman Islami, tha se arrestimi i këtyre personave ka pasuar disa veprimeve ligjore, përfshirë këtu edhe përgjimin e telefonatave që nga nata e sulmit.
“Përmes përgjimeve i kemi vërtetuar dyshimet të cilat janë mbledhur më herët nga ana e Policisë dhe Prokuroria ka ardhur në përfundim dhe ka urdhëruar edhe bastisje ku janë gjetur edhe armë dhe kemi ardhur deri te dyshimi i arsyeshëm se këta 6 të dyshuar për të cilët këta të dyshuar kanë kryer vepër penale”, ka thënë Islami.
Të gjashtë personat e arrestuar, tashmë është konfirmuar se janë aktivistët ë Lëvizjes Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur poshtë mundësinë e ndërlidhjes së arrestimit të gjashtë aktivistëve të saj me sulmin me bombë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri dhe Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj kanë akuzuar kreun e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni se është vënë në shërbim të politikës ditore të pushtetit.
“Këto metoda, nuk është që po i shohim sot për herë të parë. Është ky regjim policor ai që kishte hyrë në zyrat e Vetëvendosjes vetëm e vetëm për të shpërndarë frikë. Ne atëherë nuk kemi heshtur, sot nuk do të heshtim dhe nuk do të heshtim as nesër”, ka thënë kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.
Përderisa Dardan Molliqaj ka thënë se kjo që po ndodhë në Kosovë “është shënjues i një shteti totalitar”.
Molliqaj ka thënë se të arrestuarit nuk kanë pranuar së armët që ka ekspozuar policia janë në pronësi të tyre.
Sipas tij, të arrestuarit janë keqtrajtuar nga policia gjatë mbajtjes në paraburgim dhe ka ftuar organizatat ndërkombëtare që monitorojnë të drejtat e njeriut t’i vizitojnë ata në burgje për të konstatuar gjendjen e tyre shëndetësore.
Policia e Kosovës ka arrestuar të martën gjashtë persona, të cilët më pas u konfirmuan se janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.Sipas njoftimit të policisë, Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë pas një hetimi intensiv lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës të kryer më 4 gusht 2016, ka arritur të identifikojë të dyshuarit, të cilët, thuhet se kishin planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin, si dhe kanë marrë përgjegjësinë për kryerjen e këtij sulmi.
“Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, në cilësinë e provave materiale, janë sekuestruar: gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, 2 revole, një karabinë, municion, si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin. Sendet e sekuestruara do të ekzaminohen nga ekspertët e fushave përkatëse”, thuhet në njoftimin e policisë. (REL)