Thaçi: Demarkacioni dhe Asociacioni duhet të përmbyllen

Ilustrim

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se çështjet e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të përmbyllen më një përgjegjësi të larat duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Deklarata e presidentit Thaçi vjen dy ditë para seancës së Kuvendit të Kosovës ku pritet të diskutohet dhe më pas edhe votohet për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.

Ai tha se mbështet “çështjen e demarkacionit dhe asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështjet e tjera që ndërlidhen me të ardhmen euroatlantike të vendit me agjendën e konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë duhet të përmbyllen”.

“Ata duhet të përmbyllen me një përgjegjësi të lartë të angazhimeve shtetërore duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke respektuar vullnetin e qytetarëve që të lëvizin drejt perspektivës evropiane, pasi që janë parakushte për të ardhmen evropiane për liberalizimin e vizave dhe themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi .

Presidenti Thaçi ka shtuar se “askush nuk ka të drejtë që për shkak një logjike provinciale apo mentaliteti provincial të mbajë peng të ardhmen evropiane të Kosovës dhe qytetarëve të saj”. (REL)