Një numër i qytetarëve të komunës së Pejës, të shtunën kanë mbajtur një protestë duke kundërshtuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Ata u kanë bërë thirrje deputetëve që të mos e votojnë demarkacionin në seancën e një shtatorit në Kuvendin e Kosovës.
Ali Lajçi, përfaqësues i banorëve të fshatrave të brezit kufitar me Malin e Zi, ka thënë se deputetët nuk duhet të bien nën ndikimin e zyrtarëve të partitive politike në pushtet.
“Nëse ai version kalon në Kuvend dhe bëhet legjitim, deputetë, mendoni se Kosova do të ketë tensione, do të krizë politike, do të ketë rezistencën e llojeve dhe formave të ndryshme, sepse nuk paraqet vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk paraqet sovranitet. Dhe, ne do ta zhbëjmë në të gjitha format e mundshme institucionale dhe vijave tjera rezistencës”, ka thënë Lajçi.
Në protestë kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të partive opozitare në Pejë.
Kuvendi i Kosovës, pritet që të votojë projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, më 1 shtator, pavarësisht kundërshtimeve të fuqishme të partive politike opozitare.
Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, pati shkaktuar një valë reagimesh të partive politike opozitare, përmes përdorimit të gazit në Kuvendin e Kosovës, duke penguar votimin e ratifikimit të saj.
Opozita thotë se Kosova po humb territor të saj me marrëveshjen e arritur në vitin 2015, por partitë në pushtet kanë thënë se demarkacioni është kryer mbi dokumentet valide të Kosovës dhe ato ndërkombëtare.
Partitë në opozitë kanë paralajmëruar kundërshtime të forta edhe më 1 shtator kur pritet të votohet demarkacioni në Kuvend.
Përfaqësues ndërkombëtarë u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë në Kosovë që ta votojnë demarkacionin duke respektuar obligimet ndërkombëtare. (REL)