Shqipëria dhe Serbia po përgatiten për mbajtjen e një forumi të përbashkët ekonomik, përmes të cilit do të promovohet krijimi i Odës ekonomike shqiptaro-serbe, me seli në Tiranë.
Në vazhdën e fuqizimit ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes avancimit të bashkëpunimit rajonal, gjatë ditëve të fundit kryetarët e Odave Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë, kanë vizituar homologët përkatës në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi, për të vazhduar javëve në vijim në Kroaci dhe Slloveni.
Liderët e vendeve të rajonit kanë përkrahur fuqishëm bashkëpunimin ekonomik rajonal, të udhëhequr nga Odat Ekonomike. Mbështetjen për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet odave do ta japin edhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë, Edi Rama e Aleksandar Vuçiç, të cilët do të takohen në Nish më 14 tetor.
Takimet, në nivel rajonal, do të mund të shënojnë edhe fillimin e përurimit të një projekti të përbashkët rrugor që do të lidh Serbinë me Shqipërinë përmes Kosovës. Burime zyrtare në Serbi kanë theksuar ditëve të fundit se në takimin e Nishit do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës.
Por, këta të fundit thonë se nuk kanë marrë asnjë ftesë për çfarëdo takimi që mund të zhvillohet në rajon.
Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, i tha Radios Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës zyrtarisht nuk është në dijeni të një takimi të tillë.
“Qeveria e Kosovës nuk ka ftesë për këtë takim. E dimë që janë lansuar variante të ndryshme për pjesëmarrjen tonë atje, por ne nuk kemi ftesë dhe nuk do të jemi atje as në nivelin e përfaqësimit të shteteve që bëhen atje as në ndonjë nivel tjetër më të ulët”, ka thënë Avdullahu.
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë, ndërkohë, u kanë bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të shtojnë interesimin dhe aktivitetet drejt rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe kanë vlerësuar se ky bashkëpunim, përfshirë edhe me Serbinë - e cila nuk e ka njohur Kosovën - është “i paalternativë”.
Ata thonë të jenë të angazhuar në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, megjithëse kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i tha Radios Evropa e Lirë se takimi që organizohet në Nish kërkon një koordinim institucional dhe dakordim të tyre për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës, qoftë edhe në nivelin ekonomik.
“Oda Ekonomike vetëm ndihmon në normalizimin e raporteve në mes Serbisë dhe Kosovës... është një ndihmë e dialogut që udhëhiqet në Bruksel. Duhet të kuptohet që Kosova ka institucionet e veta, ka parlamentin, ka presidencën. Në këtë drejtim koordinohemi dhe nëse Qeveria e sheh të arsyeshme dhe rekomandon që të shkojmë atje, po shkojmë. Përndryshe, kjo nuk është fontanë dëshirash dhe unë nuk e kam komoditetin që sikryetar i OEK pa leje dhe pa qëndrim qeveritar të jem pjesë e çdo aktiviteti tjetër”, tha Gërxhaliu.
Projekti i Bashkimit Evropian për ndërtimin e autostradës që do të lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë, është thënë se mund të jetë një nga mundësitë më të mira që duhet shfrytëzuar nga këto shtete dhe bizneset për të ndërtuar bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës dhe ekonomisë.
Gërxhaliu thotëse autostrada Durrës – Prishtinë - Nish është një mundësi e mirë që do t’u mundësonte shteteve të rajonit të jenë të rëndësishme në tregjet e treta, duke ofruar shërbime dhe prodhime të rajonit.
“Si Odë Ekonomike e Kosovës jemi të angazhuar në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mendojmë që bashkëpunimi kufitar nuk ka alternativë dhe ajo që e veçon dhe i jep substancë bashkëpunimit është infrastruktura”.
“Ne kemi dhënë rekomandime që lidhja e autostradës Nish – Merdarë - Prishtinë është e një rëndësie strategjike është një projekt i cili nuk duhet të analizohet vetëm nga dimensionin politik , pasi që sa ka rëndësi politike ka edhe rëndësi strategjike dhe ekonomike”, tha ai.
Gërxhaliu tha se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë më shumë në eliminimin e barrierave tregtare në avancimin e dialogut, si dhe duhet të bëhet më shumë në krijimin e kompanive të përbashkëta.
“Në Ballkan nuk mund të flitet për procese ekonomike pa marrë konotacion politik. Jemi dëshmitarë që agjendat politike janë të stërngarkuara, mirëpo besoj që bashkëpunimi ndërkufitar, rajonal, forcimi i imazhit të rajonit do të jetë objektiv i të gjithëve”, tha Gërxhaliu. (REL)