Nga Anna Shamanska
Mediat shtetërore ruse po dalin të jenë platformë përkrahëse për konspiracionet që po qarkullojnë, përmes së cilave pretendohet që kandidatja demokrate për presidente të SHBA-ve, Hillary Clinton, vuan nga çrregullime fizike dhe mendore.
Gjatë dhjetë ditëve të fundit, faqe interneti si “Drudge Report” dhe “InfoWars”, si dhe së paku tre kanale shtetërore televizive ruse kanë transmetuar raportime tejmase diskredituese për shëndetin e 68 vjeçares Clinton.
Kanali televiziv rus “Life”, që ka lidhje me shërbimet e sigurisë së Rusisë, raporton se me 14 gusht “Hillary ka përjetuar sulm”.
Video e xhiruar para një muaji, ku Clinton shihet e rrethuar nga gazetarët në një dyqan ëmblësirash në Uashington, shërben si bazë e këtij raporti. Në video, Clinton e tund kokën në mënyrë të ekzagjeruar, pasi gazetarët e pyesin atë për një takim me senatoren Elizabeth Warren, e cila në atë kohë përflitej si e përzgjedhura e Clinton për bashkë kandidate në zgjedhjet presidenciale.
Televizioni rus, “Life” duke e cituar kanalin televiziv konservator amerikan, “Fox News”, e pranon se video është në fakt e vjetër, porse “gazetarët nuk janë të kënaqur, pasi kanë mbetur vetëm tre muaj deri në zgjedhje presidenciale dhe... më falni që po e them këtë, por gjyshja e çmendur nuk duhet të lejohet të futet në Shtëpinë e Bardhë”.
Raporti i “Life” vazhdon më tutje duke e cituar “Fox Neëw” dhe burimet e saj mjekësore që thonë se Clinton vuan edhe nga sulme paniku.
“A është ajo e sëmurë mendore apo (e sëmurë) në çfarëdo mënyre, ne mund vetëm të spekulojmë tani për tani”, thotë moderatorja, për të përfunduar raportin e saj.
Një reportere e Associated Press, që ka qenë në vendin e ngjarjes me Clinton, ka hedhur poshtë spekulimet se kandidatja demokrate ka përjetuar çfarëdo sulmi dy ditë para se “Life” të transmetojë kronikën në fjalë.
“Ndoshta ajo kishte dëshirë që të evitonte përgjigjen apo ndoshta është zënë e befasuar nga toni jonë dhe kështu Clinton u përgjigj në mënyrë të ekzagjeruar, duke e tundur kokën pak më ashpër për disa sekonda”, ka shkruar Lisa Lerer.
“Pasi u përball me pyetjet, ajo bëri edhe disa fotografi, doli nga dyqani dhe përshendeti përkrahësit që e prisnin jashtë... Aty ku unë pashë bishtnim të pyetjes, ata kanë parë sulm”, shkruan ajo.
“Të Dhënat Mjekësore”
Më 17 gusht, televizioni tjetër rus, “Ren”, ka raportuar duke thënë se Clinton është diagnostikuar me një sëmundje edhe më serioze për një person që dëshiron të bëhet komandant i përgjithshëm. “Ata që kanë menduar se Hillary Clinton mund të vuajë nga dëmtime në tru, kanë parë provat për këtë sot” , thotë autori i raportit.
Kronika 3 minutëshe citon dokumente që thuhet se kanë rrjedhur te mediat dhe që dyshohet se i takojnë mjekut të Clintonit. Reporteri Roman Babenkov, e pranon se mjeku i Clintonit e ka hedhur poshtë këtë pretendim, por për t’i shtuar peshë argumentit raporti e përdorë videon nga dyqani i ëmbëlsirave të përmendur mësipër, video që tashmë është e preferuara e konspiracionistëve.
Aktivistët e të drejtave të kafshëve, së fundi gjatë një proteste në Las Vegas, duket sikur e kanë zënë në befasi Clintonin, kur iu kanë afruar derisa ajo fliste në skenë. Kur e sheh personelin e sigurisë që reagon, Clinton heshtë.
Por, kronika e televizonit rus, “Ren”, pa e përmendur fare praninë e protestuesve në miting, raporton se Clinton në këtë rast ka përjetuar sulm paniku.
Gabimi Vogël në të Folur
Një material 11 minutësh, i transmetuar më 21 gusht në kuadër të emisionit të lajmeve të fundjavës, “Vesti”, përmende disa teori konspiracioni që kanë të bëjnë me Clinton, përfshirë edhe “të qeshurën e saj të pakontrolluar”.
“Nganjëherë njeriu mendon se Clinton nuk e kupton se për çfarë flet”, thotë korrespondenti i “Vesti” në Uashington, Valentin Bogdanov, duke e përmendur një paraqitje të ish sekretares amerikane të Shtetit në qytet gjatë gushtit, derisa ajo duket sikur po bën gabim në të folur.
“Shpresoj që ju do e bëni krahasimin e asaj që unë po e propozoj me atë që burri...kundërshtari im është duke folur”, thotë ajo gjatë fjalimit.
“Vesti” gjithashtu paraqet fotografi të një pjesëtari të shërbimit sekret që e ruan Clinton duke e mbajtur një kuti që raporti thotë se është ilaçi që përdoret për qetësim.
Nicole Mainor, një nga zëdhënëset e Shërbimit Sekret, i ka thënë CNN-it gjatë këtij muaji se objekti që shihet në duart e agjentit nuk është asgjë tjetër pos llambë elektrike.
Pas komenteve pozitive të presidentit rus, Vladimir Putin për rivalin e Clinton nga republikanët, Donald Trump, dhe rrjedhes së emailave të Komitetit Kombëtar Demokrat, pas ndërhyrjes së dyshuar nga “hackerë” që kanë lidhje me qeverinë ruse, kanë shtyer njerëzit të besojnë se Kremlini është duke e përkrahur në mënyrë aktive kandidatin republikan për president.
Në Rusi, megjithatë diskutimet në mediat shtetërore për shëndetin e presidentit Putin janë tema tabu.
Në marsin e vitit 2015, kur në Rusi me të madhe raportohej për mungesën 10 ditore të Putinit në publik, duke hedhur dyshime nëse lideri rus ishte gjallë apo jo, televizioni shtetëror rus e ka injoruar në tërësi këtë gjë. (REL)