Rreth 30 mijë shtetas të Maqedonisë do të fshihen nga lista zgjedhore, meqë deri të premten në mesnatë nuk kanë verifikuar të dhënat e tyre që kontestoheshin në bazë të një metodologjie të zbatuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve lidhur me pastrimin e listës zgjedhore.
Nga rreth 40 mijë votues të dyshimtë, vetëm rreth 9 mijë prej tyre kanë verifikuar të dhënat gjatë një procesi që ka zgjatur 20 ditë.
Këta persona që nuk janë paraqitur në zyrat e KSHZ-së, apo përmes formave tjera të përcaktuara do të kenë edhe një mundësi për të ruajtur të drejtën e votës. Ata mund të verifikojnë të dhënat e tyre gjatë një periudhe 15 ditore që nga shpallja e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Këtu nuk përfundon ky regjistrim. Këta persona do të kenë mundësinë që edhe një herë gjatë kohës së inspektimit të listës zgjedhore, pas shpalljes së zgjedhjeve, të verifikojnë të dhënat e tyre. Pra, gjatë kësaj kohe, këta persona, duke u paraqitur në zyrat rajonale të KSHZ-së, mund të paraqesin kërkesë për regjistrim dhe do të regjistrohen në listën zgjedhore“, thotë Admir Memedi nga shërbimi për informim i KSHZ-së.
Nga Lidhja Social-Demokrate opozitës, e cila edhe më së shumti ka ngritur zërin për nevojën e pastrimit të listës zgjedhore, thonë se nga procesi i zhvilluar, janë konfirmuar parashikimet e tyre se në Maqedoni nuk ka më shumë se 1.5 milionë votues.
Nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski, thotë se procesi zgjedhor do të përcillet me masa sigurie për të evituar mundësitë e manipulimit të procesit zgjedhor.
“Ajo që për ne është e rëndësishme, është se në listën e votuesve do të ketë fotografi të votuesve, me çka dukshëm do të zvogëlohet mundësia e keqpërdorimit të identitetit të huaj gjatë votimit. Ndërkohë, sa i përket listës zgjedhore, të dhënat tregojnë se ai është shumë më i vogël në krahasim me të dhënat zyrtare”.
“Veç këtyre që nuk janë paraqitur për të verifikuar të dhënat e tyre, të mos harrojmë edhe 172.000 votuesit plotësues, që sipas të dhënave të grumbulluara, për momentin nuk gjenden në Maqedoni. Kjo na çon në konkludimin kyç, se në Maqedoni nuk ka më tepër se 1.5 milionë votues, numër ky që tërë kohën e kemi deklaruar”, deklaron Mançevski.
Ndërsa, duke komentuar reagimet e shumta në opinion se nga lista e votuesve janë larguar kryesisht votues në zonat e banuara me shqiptarë, Mançevski thotë se bëhet fjalë për kritere që janë realizuar në përputhje me dispozitat ligjore dhe se nuk bëhet fjalë për proces që do të kishte për qëllim largimin nga lista e votuesve të qytetarëve për shkak të përkatësisë së tyre etnike apo partiake.
“Bëhet fjalë për procedura administrative dhe ligjore që kanë sjellë deri në këtë situatë. Absolutisht qëllimi nuk është të shlyhet ndonjë votues real. Do të ketë edhe kontrolle plotësuese për evitimin e ndonjë gabimi që mund të jetë bërë pa qëllim, që edhe ata të kenë të drejtën e votës”, shpjegon Mançevski.
Por, partitë opozitare shqiptare reagojnë duke u bërë thirrje katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, e veçanërisht LSDM-së, të sqarojë opinionin se si është e mundur që nga 300 mijë votuesit e pretenduar fiktiv, të ketë vetëm 30 mijë edhe atë shumica prej tyre të jenë shqiptarë.
Partitë jashtëparlamentare të opozitës shqiptare kërcënojnë edhe me bojkot të zgjedhjeve nëse nuk tërhiqet lista me të ashtuquajturit votuesit e dyshimtë.
“Nëse nuk tërhiqet kjo listë, e cila tregon marrëveshjen e fshehtë mes katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos për eliminimin e votuesve shqiptarë, me ne krye ata që nuk do ta votonin BDI-në, ne si Këshilli Opozitar do t’i bëjmë thirrje popullit shqiptar në Maqedoni që t’i bojkotojë zgjedhjet e ardhme”, theksohet në komunikatën e Këshillit Opozitar.
Por, nga Qeveria thonë se pastrimi i listës është bërë në bazë të metodologjisë së përcaktuar nga katër partitë kryesore, nënshkruese të marrëveshjes politike, ku bëjnë pjesë edhe dy partitë shqiptare, BDI dhe PDSH.
Kryeministri Emil Dimitriev përjashton mundësinë e dhënies së një afati shtesë për verifikimin e këtyre votuesve.
“Metoda e pastrimit të listës zgjedhore është bërë në bazë të marrëveshjes mes partive politike. Të gjitha partitë të përfshira në këtë proces, ishin të vetëdijshme se në këtë mënyrë do të pastrohen rreth 40 mijë votuesit e kontestueshëm. Unë mendoj se nuk asnjë rrezik apo pengesë, ose ndonjë arsyetim të ri që të anulohen zgjedhjet pasi për këtë metodë të pastrimit të listës ishin pajtuar të gjitha partitë dhe pres që edhe ta respektojnë”, deklaron Dimitriev.
Pastrimi i listës zgjedhore, por edhe pikat tjera të marrëveshjes politike do të jenë në agjendën e takimit të liderëve të partive të caktuar të mbahet më 31 gusht, kur edhe pritet të vendoset për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.